Kurti: Me Scholzin në Berlin e Bidenin në Washington mund të rigjallërojmë urën trans-atlantike

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në një panel në Greqi, ka thënë se ka shpresë të madhe në udhëheqjen e kancelarit gjerman Olaf Scholz dhe politikave të tij drejt Ballkanit Perëndimor.

Në këtë drejtim, ai tha se Scholz në Berlin dhe presidenti Biden në Washington do t’i japin frymë të re raporteve transatlantike.

“Me presidentin Biden në Shtëpi të Bardhë dhe me kancelarin Scholz në Berlin ne mund të rigjallërojmë urën transatlantike që në shekullin 21 është më e rëndësishme sesa ishte në shekullin 20”, ka thënë ai.

Kurti e bëri këtë deklaratë derisa po fliste për rreshtimin e Evropës krah Ukrainës dhe refuzimin e Serbisë që të renditet në këtë anë.

Ai ka thënë se për t’i përqafuar vlerat evropiane rajoni i Ballaknit Perëndimor duhet ndihmë edhe nga vetë Unioni.

Kurti tha se në këtë kohë kur në Ukrainë po ndodh një agresion i paprovokuar, në Evropë nuk duhet të ketë vend për neutralitet.