Kurti: Me qeverisjen time janë dyfishuar investimet e huaja dhe eksportet

Kryeministri Albin Kurti sot në mbledhjen me pikat e Lëvizjes Vetëvendosje ka folur edhe për sektorin e ekonomisë, ku ka thënë se Bruto Produkti Vendor i Kosovës kur erdhi në qeverisje ishte më pak se 6.8 miliardë euro, e sipas tij në vitin që vjen do t’i kalojë 10 miliardë euro.

“Për katër vjet do t’i bije që BPV është rritur për gati 50%”, ka deklaruar kryeministri.

Ai tutje ka shtuar se buxheti i shtetit në 2024-shin do të jetë 3 miliardë e 314 milionë euro, apo gati buxheti vjetor i shtetit, sa 1/3 e BPV të Kosovës.

Kryeministri ka thënë se me qeverisjen e tij janë dyfishuar investimet dhe eksportet.

“Janë dyfishuar si investimet e huaja ashtu edhe eksportet. 226 ndërmarrje vendore i kemi ndihmuar për promovimin ndërkombëtar të prodhimeve e shërbimeve që ato ofrojnë duke i dërguar në plot 33 panaire ndërkombëtare. Për të rinjtë e talentuar dhe kompanitë e reja, që njihen më shumë si “start up”, kemi mbështetur me 8 milionë euro Parkun e Inovacionit dhe Trajnimit në Prizren, një hapësirë ndër më modernet në rajonin tonë. Ndërkaq, me 2.5 milionë euro kemi ndërtuar infrastrukturë në mbështetje të bizneseve në parqet industriale të Vushtrrisë, Suharekës, Vitisë dhe Lipjanit”.

“Me Bashkimin Evropian kemi nënshkruar një marrëveshje për përfshirjen e Kosovës në programin e Tregut të Përbashkët Evropian. Ky program me vlerë 4.2 miliardë euro për periudhën 2021-2027 i dedikohet organizatave e bizneseve, me qëllim fuqizimin e mbikëqyrjes së tregut të brendshëm dhe rritjes së konkurrueshmërisë. Ndërkohë, kemi filluar negociatat për marrëveshje të tregtisë së lirë me Zvicrën, Lihtenshtajnin, Norvegjinë, Islandën dhe EFTA-n. Kjo do të favorizojë eksportet e prodhimit kosovar, por edhe rritjen e cilësisë së prodhimit e rritjen e rrogave në sektorin privat”.

Kurti tutje ka thënë se ekonomia sot është gjithnjë e më shumë e digjitalizuar, dhe në këtë aspekt nuk mbetet pas Kosova.

“Sot, mbi 150 shërbime ofrohen në e-Kosova, aty përfshihen certifikatat e gjendjes civile, ato të pronës, gjobat e trafikut e obligimet tatimore, regjistrimet e veturave, aplikimet për shtesa e për benefite të ndryshme, dhe shumë të tjera. Pra, fare lehtë, nga telefoni, secili prej jush e të gjithë qytetarët, mund të mbarosh punë pa patur nevojë të humbësh kohë në zyra e në radhë të gjata. Avancimi në rrafshin e digjitalizimit ndihmon individët dhe bizneset e Kosovës, e rrit transparencën dhe e asgjëson mundësinë për ryshfet. Ky avancim është njohur edhe nga Banka Botërore, e cila e ka ngritur Kosovën në vlerësimin e saj nga kategoria C, në kategorinë B, sa i përket fokusimit në qeverisjen digjitale.
Në vitet 2023-2027 ne do të investojmë 48 milionë euro në strategjinë për e-qeverisje, e veç këtyre do të investojmë edhe 9.8 milionë euro për forcimin e sigurisë kibernetike, si interes e siguri kombëtare”, ka deklaruar kryeminsitri Kurti. /Reporteri.net