Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, takoi ministrin për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, ministrin për Administrimin e Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku dhe zëvendësministrin për Komunitete dhe Kthim, Radoica Radomiroviq, zëvendësministren e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani, si dhe zëvendësministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Arbër Vokrri.
Sipas njoftimit të ZKM-së, ministrat dhe zëvendësministrat e informuan kryeministrin për punët që po kryejnë dhe aktivitetet që po i zhvillojnë anekënd Kosovës, e në veçanti në mjediset e banuara me komunitetin serb.
“Bashkë diskutuan mbi përgatitjet për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në katër komunat në veri të Kosovës, dhe për projektet infrastrukturore që do të mund të planifikoheshin dhe zbatoheshin në komunat me shumicë serbe për Lojërat Mesdhetare 2030”, thuhet në njoftim.
“Zhvillimi dhe zbatimi i planit për organizim të lojërave, që padyshim sjell edhe zhvillim të komunave edhe në aspektin ekonomik, në komunat në veri të Kosovës, ishte po ashtu pjesë e diskutimit. Kryeministri Kurti theksoi nevojën e zhvillimit të komunave në dobi të qytetarëve, ashtu që askush të mos ngelet mbrapa.
Qeveria e Republikës do të mbështesë çdo nismë ligjore që rrit mirëqenien e qytetarëve dhe ndikon në përmirësimin e mirëqenies, përmes investimeve, nismave dhe subvencioneve e granteve, për çdo komunitet”, thuhet tutje në njoftim.