Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi dje një bisedë telefonike me presidentin e Francës, Emmanuel Macron, me të cilin kanë folur për zhvillimet e fundit, dialogun me Serbinë, si dhe për çështjen e sulmit terrorist në Banjskë.
Zyra e Kryeministrit sot ka nxjerrë detaje tjera nga biseda e mbrëmshme mes tyre ku ndër të tjera thuhet se Kurti e ka përmendur mungesën e dënimit të autorëve të sulmit terrorist të 24 shtatorit të vitit të kaluar, në krye me Millan Radoiçiq, i cili vazhdon të jetë i lirë në Serbi.
“Në këtë telefonatë, kryeministri Kurti me presidentin Macron ngriti edhe çështjen e mungesës së dënimit të autorëve të sulmit paramilitar dhe terrorist të 24 shtatorit të vitit të kaluar, në krye me Millan Radoiçiq i cili vazhdon të jetë i lirë në Serbi, pavarësisht dëshmive të qarta dhe pranimit të fajësisë për organizimin dhe përfshirjen në sulmin ku mbeti i vrarë një polic i Kosovës.“
Po ashtu, Kurti i ka thënë presidentit francez se qeveria serbe po i frikëson e shantazhon serbët në Kosovë.
“Ai po ashtu e njoftoi presidentin Macron për presionin, frikësimin dhe shantazhet e vazhdueshme që Qeveria e Serbisë po i bën qytetarëve të Kosovës nga radhët e komunitetit serb, gjë që u reflektua dhe me numër të ulët të pjesëmarrjes në procesin e votimit të 21 prillit në katër komunat në veri të vendit.”