Kryeministri Albin Kurti, kryeparlamentari Glauk Konjufca dhe kryediplomatja Donika Gërvalla ende nuk kanë reaguar ndaj kritikave të ashpra të presidentes Vjosa Osmani.
Kjo e fundit, dy ditë më parë, ka akuzuar tre të parët se e kanë injoruar dhe nuk e kanë konsultuar në rastin e dërgimit të letrës për presidentin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ku Kosova zotohej se do ta hartonte një draft të ri të Asociacionit dh do ta dërgonte në Gjykatë Kushtetuese. Pavarësisht kritikave të rënda të Osmanit, Konjufca, Kurti dhe Gërvalla nuk kanë thënë asnjë fjalë.
Të mërkurën, ditën që presidentja i ka bërë kritikat, gazetarët janë munduar të marrin një qëndrim nga Kurti, por ky i fundit i ka përshpejtuar hapat kur përpara i kanë dalë gazetarët, të cilët i kanë kërkuar një qëndrim për kritikat e presidentes Osmani.
Derisa largohej nga një tubim zgjedhor i kandidatëve për kryetar të Preshevës dhe Bojanovcit, ai ka refuzuar të ndalet, duke thënë “më 2 qershor janë zgjedhjet për kryetarë të komunave në Luginë”.
Ndërsa, ministrja e punëve të jashtme po qëndron për një vizitë disaditore në Kanada dhe ende nuk e ka dhënë asnjë fjalë për kritikat e ish-bashkëpartiakes së saj.
Deri me tani, as kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca nuk i ka komentuar kritikat e shefes së shtetit.
Sebep për shpërthimin e presidentes ishte pikërisht një deklarate e kryeparlamentarit Konjuca, i cili kishte thënë se për shkak se Osmani ka qenë në SHBA nuk kanë mundur të koordinohet për dërgimin e letrës në Këshillin e Evropës.
Në një prononcim për Ekonomia Online, Osmani ka thënë se deklarata e Konjufcës ishte qesharake dhe se telefonat ekzistojnë dhe se një temë e tillë e rëndësishme do të duhej të ketë koordinim.
“Unë nuk e kam dëgjuar një deklaratë të tillë do të befasohesha jashtëzakonisht shumë në qoftë se dikush vërtetë deklaron diçka të tillë sepse jemi në vitin 2024 ku telefonat funksionojnë shumë mirë pavarësisht në cilën zonë kohore jemi dhe në të njëjtën kohë të gjitha komunikimet tona deri tani në këto tri vite e gjysmë të bashkëpunimit ndërinstitucional në fushën e politikës së jashtme kane qenë pikërisht përmes telefonit”, ka thënë ajo.
Më pas ajo kishte drejtuar kritika ehe në adresë të Qeverisë, duke thënë se me dërgimin e letrës së Gërvallës Qeveria i kishte shkelur parimet e saj për Asociacionin.
“Sepse dikush nga institucionet gjithnjë ka qenë jashtë vendit dhe të thuhet që një informatë kaq fondamentale për një proces kaq kapital që e ka ndryshu në tërësi qëndrimin që ne e kemi mbajt deri atë ditë. Që nuk mund të nxirret çështja e Asociacionit nga marrëveshja e tërësishme, që nuk mund të ketë zbatim të njëanshëm të marrëveshjes vetëm nga Kosova por duhet të ketë zbatim paralel, që nuk mund të ndërlidhet procesi i dialogut me procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës”, është shprehur ajo.
“Të gjitha kanë rënë në ujë me ofertën që është bërë atë ditë sepse ajo ofertë nuk ka qenë as për nga përmbajtja e as për nga procedura vazhdimësi e listës së zotimeve që e kanë nënshkruar të tre liderët, prandaj është domosdoshmëri kushtetuese në përputhje me nenin 84 që qeveria ta koordinojë një veprim të tillë me udhëheqësen e politikës së jashtme që sipas kushtetutës sonë gjithnjë ka qenë dhe mbetet institucioni i presidencës e të thuhet që kjo në çfarëdo mënyrë paska pas të bëjë me largësinë për mua është diçka që nuk dua ta besojë që dikush e thotë. Sepse nuk ka fare të bëjë me realitetin dhe tregon që në njëfarë mënyrë po tentohet që ky moskoordinim për një çështje kaq kapitale të lihet si faj të presidenca që për mua është vërtetë edhe shumë qesharake sepse të gjitha institucionet e dinë shumë mirë që presidentja e vendit ka qenë 24 orë të çdo ditë të javës në komunikim me të gjithë për tema të rëndësisë kapitale sidomos në fushën e politikës së jashtme që janë brenda mandatit të presidentes e kjo absolutisht për mua është befasi tepër e madhe”, ka thënë Osmani.
Kritikat e Osmanit deri me tani janë komentuar vetëm nga opozita dhe disa deputetë të VV-së. Derisa të parët kritikat e Osmanin i kanë vlerësuar si të vonshme, këta të fundit kanë mohuar se kritikat e Osmanit flasin për një çarje të presidentes me kryeministrin.