Kurti – Kallasit: Dënimet ndaj ish-krerëve, të rënda

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është takuar në New York me përfaqësuesen e Lartë të BE-së për Politikën e Jashtme dhe zv. presidenten e Komisionit Evropian, Kaja Kallas.

Kurti tha se i ka thënë Kallasit se dënimet për krerët e UÇK-së janë të rënda dhe të padrejta.

E plotë:

Në selinë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, në Neë York, u takova me Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri dhe Zëvendëspresidenten e Komisionit Evropian, Kaja Kallas.

Pasnesër, më 24 shtator, mbushen tre vjet nga agresioni i Serbisë dhe sulmi terrorist në Banjskë të Zveçanit, ku u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, heroi Afrim Bunjaku. Ndërkohë, Millan Radoiçiq dhe pjesëtarët e tjerë të grupit terrorist paramilitar, të cilët po mbrohen nga presidenti i Serbisë, teksa i ofrojnë mbrojtje dhe shërbime, duhet të përballen me drejtësinë në Kosovë. Për këtë kërkova përkrahjen e BE-së që t’i bëjnë trysni Serbisë.

Shpreha shqetësimin tim të thellë për dënimet e rënda dhe të padrejta ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së, në aktgjykimin e shkallës së parë të Dhomave të Specializuara, pas një procesi pa transparencë në tërësinë e tij. Gjykimi nuk ka përfunduar dhe Republika e Kosovës do të angazhohet që ky proces dhe verdikt të korrigjohem në shkallën e apelit.

Ushtria Çlirimtare Kosovës lindi si përgjigje ndaj represionit, vrasjeve e masakrave, dëbimeve masive e spastrimit etnik nga Serbia dhe lufta e saj për liri ishte e drejtë dhe e pastër. Serbia ishte agresori me plan gjenocidal. Qindra mijëra qytetarë u dëbuan nga shtëpitë e tyre dhe mijëra u vranë, ndërsa rreth 20 mijë gra e burra konsiderohen viktima të dhunës seksuale që u përdor si armë lufte. Shumë krime të forcave serbe mbeten ende pa u ndëshkuar.

Pa dyshim në takim ngrita edhe çështjen e diskriminimit të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, të cilët në Serbi nuk gëzojnë të drejta të barabarta. Aty ka një nënpërfaqësim të theksuar në institucione, teksa vazhdon spastrimi etnik administrativ me heqjen e adresave.