Analisti Afrim Kasolli ka kritikuar ashpër kryeministrin Albin Kurti për vizitën në Maqedoni të Veriut.
Ai ka bërë me dije se Kurti po e përdor strategjinë politike të Sali Berishës në vitet ’90.
Sipas tij, kur Berishës i ngushtohej hapësira për manovrim të brendshëm, tentonte të përfitonte politikisht duke i përdorur politikanët shqiptarë që jetonin jashtë Shqipërisë.
“Albin Kurti ka filluar t’i imitojë taktikat politike te Sali Berishës në vitet ‘90. Që kur i ngushtohej hapësira për manovrim të brendshëm, tentonte të përfitonte politikisht duke i përdorur politikanët shqiptarë që jetonin jashtë shtetit shqiptar, duke e përkrahur herën njërin lider kundër tjetrit. Këtë strategji ka filluar ta ndjek Albin Kurti në Luginë dhe në Maqedoninë e Veriut, për shkak të presioneve të brendshme. Pas dështimit të turpshëm me Blerim Rekën i është kthyer përsëri kësaj aventure politike”, ka shkruar Kasolli.
Sipas tij, kjo vizitë është në kundërshtim me traditat e projektit modern nacional shqiptar.
“Natyrisht, në këtë lojë të rrezikshme e cila bie në kundërshtim me traditat e projektit modern nacional shqiptar, ai po gjen mbështetje edhe të politikan mediokër sikur kryetari i Tetovës, i cili deklaroi në tubimin e mbrëmshëm se Albin Kurti është kryeministër i gjithë shqiptarëve. Nonsens logjik. Kurse ky i fundit i entuziazmuar nga ajo shfaqje karanvaleske nuk la pa e rekomanduar Maqedoninë e Veriut se si duhet të orientohet në aspektin gjeostrategjik. Dhe kënd po e këshillon? Një shtet që e ka Ali Ahemtin liderin kryesor të shqiptarëve, ku pa orientimin e tij të qartë kombëtar dhe strategjik, Maqedonia e Veriut sot as nuk do të ishte ne NATO, dhe as në rrugën e integrimeve euroatlantike”, ka shkruar ai.