Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim Ndihmës Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s për operacione, Thomas Goffus.
Kryeministri i vendit, Albin Kurti, pas takimit që pati me Ndihmës Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Thomas Goffus, tha se ai është i angazhuar për shtensionim të situatës në veri dhe normalizim.
Kreu i qeverisë e informoi Goffus për rrjedhën e ngjarjeve që nga 5 nëntori i vitit të kaluar, kur dhanë dorëheqje katër kryetarët e komunave në veri e deri më sot.
“Sundimi i ligjit, mungesa e protestave të dhunshme e aktiviteteve kriminale dhe zgjedhjet e hershme janë rruga përpara drejt de-eskalimit dhe për këtë qeveria është maksimalisht e angazhuar”.
“Megjithatë, masat negative të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës si vendi më demokratik në Ballkanin Perëndimor, që ka sanksionuar agresionin rus në Ukrainë dhe që është në harmoni me politikën e jashtme të BE-së, kanë krijuar asimetri në dialog”, është shprehur Kurti.
Gjatë këtij takimi, është folur edhe për mungesën e qartësisë nga ana e KFOR-it për sa i përket kidnapimit të tre policëve të Kosovës nga ata serbë, por edhe për raportimet se në veri në kishat ortodokse serbe është kontrabanduar armatim.
“Ai gjithashtu ngriti shqetësimin për mungesën e ofrimit të qartësisë nga KFOR-i për ngjarjen e 14 qershorit 2023, kur u rrëmbyen tre zyrtarë të Policisë së Kosovës, përkundër evidencës së bollshme të ofruar nga institucionet e Kosovës. Po ashtu ngriti edhe shqetësimin për raportimet se në kishat ortodokse serbe është kontrabanduar armatim përmes ambulancave”.
“Kryeministri tha se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar për bashkëpunim dhe bashkërendim të plotë me misionin e NATO-s, KFOR-in, dhe se ndarja e informacionit dhe koordinimi i mirë duhet t’i kontribuojnë si sundimit të ligjit në veri të Kosovës po ashtu edhe përmirësimit të situatës së sigurisë”, thuhet në njoftimin e qeverisë, transmeton Klankosova.tv