Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili po qëndron në Berlin për të marrë pjesë në Samitin e Ballkanit Perëndimor, është takuar me Përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell.
Në këtë takim, është diskutuar për disa çështje përfshirë, vendimin e fundit të Qeverisë për targat ilegale.
Në komunikatën për media njoftohet se, Qeveria e Kosovës ka treguar vendosmëri për sundimin e ligjit dhe përkushtimin në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në vend.
Komunikata e plotë:
Kryeministri Kurti takohet me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së, Josep Borrell dhe Përfaqësuesin e posaçëm të BE-së, Miroslav Lajcak
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i cili po qëndron në Berlin për të marrë pjesë në Samitin e Ballkanit Perëndimor, para fillimit të tij u takua me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Josep Borrell dhe Përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajcak.
Marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe elementet e kornizës së marrëveshjes për normalizimin e plotë të raporteve me njohjen reciproke në qendër, vendimi i fundit i Qeverisë për targat ilegale, çështja e energjisë dhe çështje tjera aktuale ishin temat qendrore të takimit.
Në lidhje me zbatimin e vendimit për targat ilegale, kryeministri Kurti tha se nëpërmjet sekuencimit në tri etapa dhe shkallë, Qeveria e Republikës së Kosovës ka treguar vendosmërinë për sundimin e ligjit dhe përkushtimin në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në vend. Ndërkaq bëri thirrje që dëmtimi dhe djegia e veturave me targa RKS në veri të vendit të dënohet nga të gjithë.
Sa i përket çështjes së energjisë, kryeministri foli për rëndësinë e zbatimit të plotë dhe të shpejtë të udhërrëfyesit për energji, ndaj të cilit dakordim Republika e Kosovës dhe institucionet vartëse kanë treguar përgjegjshmëri të lartë duke përmbushur obligimet tona në kohë rekord.