Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Kosova dhe Serbia kanë pasur tetë opsione në tavolinë nga BE-ja përgjatë muajve të dialogimit për çështjen e targave.
Ai këtë ua tha ministrave gjatë mbledhjes së qeverisë, por u pyet sërish nga gazetarët në një konferencë për media.
“Kur thashë tetë opsionet, mendova që fola vetëm midis nesh, anëtarët e kabinetit qeveritar. S’mund të them më shumë se atyre. Tetë opsione gjatë gjashtë muajve. Shtatorin e vitit 2021 e patë kur u patën grumbulluar forcat serbe përgjatë kufirit me Kosovën dhe atje shkoi edhe ambasadori rus. Gjashtë muaj është negociouar mes ekipeve tona ku kanë shkuar ekspertët dhe njohësit e çështjeve dhe kanë ardhur në një përfundim se tetë modele janë të mundshme dhe është kërkuar nga palët modelin e preferuar dhe nëse asnjë i përbashkët s’do të ishte zgjedhur nga palët natyrisht se do të vazhdonin negociatat. Ne i kemi preferuar tri modele, derisa pesë i kemi konsideruar të papranueshme. Por, Serbia i ka konsideruar të gjitha të papranueshme”, tha Kurti.
Ai tha se këto s’mund t’i bëjë publike meqë kanë zotim për konfidencialitet ndaj ndërmjetësit.
“BE mund t’i bëjnë publike këto gjëra. Ne kemi qenë të gatshëm, për neve ka qenë i rëndësishëm parimi i reciprocitetit për dakordim. U bënë edhe dy muaj që dështuan. Asnjë prej tetë opsioneve s’i binte tamam Serbisë”.