Një javë pas zgjedhjeve parlamentare në Kosovë, kryeministri Albin Kurti ka shprehur shqetësimin për “imperializmin serbo-rus” në një intervistë për revistën gjermane Table Briefings – dhe është ankuar për trajtimin e pabarabartë nga BE-ja.
Kryeministri Albin Kurti është shprehur i shqetësuar për kërcënimet e sigurisë, të cilat sipas tij, vijnë nga Serbia.
Në një intervistë për revistën gjermane Table Briefings, Kurti ka thënë se presidenti serb Aleksandar Vuçiq nuk mund t’i thotë ‘JO’ aspiratave të presidentit rus Vladimir Putin.
“Krahasuar me agresionin rus në Ukrainë, [situata] është relativisht e qetë. Megjithatë, ne kishim disa sfida të sigurisë, kryesisht të ardhura nga Serbia. Disa prej tyre lidhen me Rusinë. Jemi shumë vigjilentë, sepse nuk besoj se presidenti Vuçiq mund t’i thotë jo Presidentit Putin nëse dëshiron të zgjerojë shtrirjen e imperializmit dhe aspiratave të tij hegjemoniste”, tha Kurti.
Kurti ka folur edhe për emisarin për misione të veçanta të administratës Trump, Richard Grenell. Ka thënë se Grenell është pozicionuar haptas kundër tij tash e pesë vite.
“Emisari special Grenell ka qenë haptas kundër meje që nga viti 2020. Kjo nuk ka filluar gjatë fushatës zgjedhore. Megjithatë, ne i konsiderojmë Shtetet e Bashkuara aleatin tonë të domosdoshëm dhe mik të veçantë. Sa i përket Serbisë, ekziston një marrëveshje bazike me aneksin e zbatimit nga shkurti dhe marsi i vitit 2023. Kjo marrëveshje po shkelet.
Unë i kam kërkuar Serbisë të nënshkruajë marrëveshjen, për të cilën ajo tashmë është pajtuar. Po ashtu, Serbia duhet të tërheqë letrën e dhjetorit 2023 nga zonja Bërnabiq, kryetare e Kuvendit dhe ish-kryeministre, në të cilën ajo deklaron se nuk e pranon integritetin territorial të Kosovës. Dhe ata duhet të ekstradojnë Milan Radoiçiqin, kriminelin kryesor të Banjskës që vrau policin tonë Afrim Bunjaku në shtator 2023. Serbia mund të dëshirojë diçka si Republika Serbe në Kosovë. Por kjo nuk është as e pranueshme dhe as e mundur”, tha ai.
Lidhur me zgjerimin e pranisë së trupave të NATO-s në Kosovë, Kurti ka thënë se Kosova ka nevojë për mbështetjen e aleatëve të saj, konkretisht Gjermanisë.
“Serbia ka 48 baza afër kufirit me Kosovën, 28 baza ushtarake dhe 20 baza të xhandarmërisë. Pra, po, ne kemi nevojë për mbështetjen e KFOR-it. Kemi nevojë për më shumë trupa gjermane. Njerëzit këtu e vlerësojnë vërtet kontributin gjerman. Për sa kohë që Serbia nuk na njeh, përderisa ne nuk jemi ende anëtare të NATO-s, për sa kohë Serbia ruan këtë marrëdhënie të ngushtë me Kremlinin, ne kemi nevojë për aleatët tanë në anën tonë”, tha Kurti.
Për masat ndëshkuese të vendosura nga BE-ja, shefi në detyrë i qeverisë tha se është e padrejtë që Serbia nuk është ndëshkuar.
“BE-ja do të donte të hiqte disa nga masat, por nuk mund të binte dakord për këtë për shkak të dinamikës së brendshme. Nga ana tjetër, mendoj se është e padrejtë që Serbia nuk është sanksionuar nga BE për sjelljen e saj pro Kremlinit dhe që nuk ka vendosur sanksione kundër Rusisë për tre vjet. Ka pasur trajtim asimetrik dhe shpresoj shumë që mandati i dytë i Presidentes Ursula von der Leyen do ta ndryshojë këtë”, u shpreh Kurti. /Paparaci.com