Kryeministri Albin Kurti ka goditur sërish Prokurorinë Speciale për punën e saj në ndjekjen penale dhe gjykimin e kriminelëve të luftës edhe në mungesë të tyre.
Kurti ka thënë se aktakuzat e ngritura për gjykim në mungesë për krimet e luftës “mund të numërohen në gishta”.
Sipas tij, Prokuroria Speciale duhet të jetë më aktive e efikase që të sjellë kriminelët para drejtësisë.
“Në përpjekjet tona për drejtësi për viktimat e luftës së viteve 1998-1999, adresimi i krimeve të Serbisë të kryera në Kosovë duhet të jetë prioritet. Nga të gjitha masakrat ka dëshmitarë dhe dëshmi, të cilat Prokuroria do të duhej t’i kthej në dosje provash për aktakuza për krime lufte. Republikës dhe popullit i duhen prokurorë aktivë e të mençur, dhe gjykatës efikasë e të ditur, të sjellin para drejtësisë të gjithë ata që janë përgjegjës për krimet e kryera gjatë luftës. Një pjesë e emrave të tyre dihen publikisht e shumë prej tyre njihen nga të mbjetuarit e nga familjarët e viktimave. Andaj, bëjmë thirrje sërish që shtylla tjetër e pushtetit në Kosovë, sistemi i drejtësisë, të veprojë, sepse është koha e fundit të sjellin drejtësi për viktimat e luftës. Qeveria ka rritur buxhetin, andaj bëjmë thirrje që Këshilli Prokurorial urgjentisht të rrisë kapacitetet për adresim të krimeve të luftës”, ka shkruar Kurti.
Tutje, ka thënë se Gjykimi e dënimi i kriminelëve të luftës është detyrë e obligim.
“Për vuajtjet e së kaluarës dhe shpresën për të ardhmen. Për sakrificën e atyre që i humbëm në luftë dhe për brezat që po rriten në liri”, ka shkruar ai.
Nuk është hera e parë që Kurti kritikon Prokurorinë Speciale. Disa herë ai ka drejtuar kritika ndaj kësaj prokurorie, e edhe ndaj Kryeprokurorit Blerim Isufaj. Kritikat e tij kanë qenë edhe për trajtimin e sulmit terrorist në Banjskë nga kjo prokurori.