Kryeministri Albin Kurti tha se është në kontakt me Brukselin, posaçërisht me kryediplomatin europian, Josep Borrell dhe emisarin Miroslav Lajçak pas masave ndëshkuese që BE-ja i mori ndaj Kosovës.
Kurti tha se dje për gjysmë ore ka biseduar në telefon me Borrellin, raporton Gazeta Express.
“Me Bashkimin Europian unë jam në kontakt të përditshëm, me Brukselin. Dje kam biseduar në telefon për gjysmë ore edhe me Përfaqësuesin e Lartë për Siguri dhe Politikë të Jashtme zëvendëspresidentin e Komisionit Europian, zotin Josep Borrell”, tha Kurti.
Ai tha se është i interesuar për de-eskalim dhe normalizim, por përsëriti se kjo “nënkupton sundimin e ligjit”.
“Pra, unë jam në kontakt edhe me ndërmjetësin Lajçak, emisarin special. Jam i interesuar edhe për de-eskalim, jam i interesuar edhe për normalizim. De-eskalimi nënkupton sundim të ligjit që i zmbrapsë këta kriminelët duke i detyruar të ballafaqohen me drejtësinë ose edhe të shkojnë në Serbi”, tha Kurti.