Kurti e Vuçiq sot në Bruksel, priten takimet me liderët evropianë

Në ftesën për samitin e liderëve të shteteve anëtare të BE-së, që mbahet sot e nesër në Bruksel, presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, njofton se do të diskutohet edhe dialogu mes Kosovës dhe Serbisë.

Kryeministri kosovar, Albin Kurti, siç njoftoi qeveria, në margjinat e samitit do takojë liderët e Gjermanisë, Olaf Scholz, Francës, Emmanuel Macron, e të Italisë Giorgia Meloni, si dhe presidenten e Komisionit Evropian, Ursula Von Der Leyen.

Qeveria e Kosovës tha se “takimi do jetë në kuptim të diskutimeve të nisura me 5 emisarët gjatë vizitës së tyre në Prishtinë me datën 21 tetor, në të cilin ata propozuan një plan të ri që përfshinte një paketë më të plotë të zbatimit gjithëpërfshirës të Marrëveshjes Bazike bashkërisht me një draft të propozuar për zbatimin e nenit 7”.

Neni 7, që përmendet mes tjerash, thotë se palët janë të përkushtuara në arritjen e ujdisë specifike e garancive, në përputhje me instrumentet përkatëse të Këshillit të Evropës, e duke përdorur përvojat ekzistuese evropiane për të siguruar një nivel të përshtatshëm të vetë-menaxhimit për komunitetin serb në Kosovë.

Në BE njoftuan për takimet e Kurtit dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që do i kenë ndaras me liderët evropianë, por se një takim mes këtyre dyve thanë se nuk do ndodhë.