Pamjet teksa kryeministri Albin Kurti, pozonte para takimit me emisarin Miroslav Lajçak, bënë bujë në mediat e Kosovës. E këto pamje, po del se kryeministri i vendit i kishte për gazetën spanjolle El Pais.
Në një intervistë për këtë gazetë, Kurti ka folur rreth mundësive për luftë në Kosovë, ashtu siç deklaronte kohë më parë.
“Ka tension të madh sepse Beogradi refuzon të pranojë krimet e bëra në luftën në Kosovë. Për shembull, për masakrën e Reçakut, më 15 janar 1999, thonë se nuk ka ekzistuar. Ata e mohojnë krimin. Përveç kësaj, ata nuk e njohin pavarësinë tonë dhe kanë kryer 48 operacione rreth kufirit tonë”, ka thënë kryeministri Kurti, transmeton Nacionale.
Kurti ka kritikuar sërish lidhjet që ka presidenti serb Vuçiq me presidentin rus, Vladimir Putin.
“Megjithatë, problemi më 31 korrik është për shkak të një fushate të madhe dezinformuese nga Serbia duke thënë se ne do t’i konfiskojmë dokumentet e udhëtimit të serbëve që vijnë në Kosovë. Nuk është e vërtetë. Ne nuk u heqim asgjë. U dhamë një dokument shtesë që thotë se po hyjnë në një shtet tjetër, siç ka bërë Serbia për 11 vjet me çdo kosovar që kalon kufirin”, ka deklaruar më tutje Kurti.
Kurti ka folur për raportet e Kosovës dhe Spanjës, dhe e ftoi për vizitë kryeministrin spanjoll.
“Ka bërë xhiro nëpër Ballkan dhe nuk ka ardhur në Kosovë. Kështu që na keni borxh një vizitë”, tha Kurti.
“Spanja duhet dhe do ta njohë Kosovën. E di që ka disa ankesa që rasti i Kosovës mund të ngrejë në disa zona të Spanjës. Por, siç tha shkrimtari ynë i madh Ismail Kadaré, kur fitoi çmimin Princi i Asturias: “Spanja nuk duhet të krahasohet kurrë me Serbinë, sepse Serbia bëri gjenocid në Kosovë”. Mendoj se pikërisht me njohjen e Kosovës, Spanja do të demonstronte se Katalonja dhe Vendi Bask janë krejtësisht të ndryshëm nga rasti ynë”, theksoi Kurti.