Ministri i Bujqësisë Faton Peci ka pasur përplasje me analistin Imer Mushkolaj në lidhje me punësimet në dikasterin që ai drejton dhe qeverisjen e kaluar.
Peci ka thënë se qeveria paraprake u kishte mbetur borxh fermerëve, derisa sipas tij mjetet që u kishin kompensuar vitin e ardhshëm, i kanë konsideruar sukses e rritje të subvencioneve për bujqësi.
“Mjetet bujqve do t’iu dalin brenda këtij viti. Nuk do të bëjmë si qeveria paraprake që u ka pagua vetëm gjysmën e mjeteve”, ka thënë Peci në studion e “Debat Plus” .
E, Mushkolaj këtu e ka ndërprerë ministrin.
“Mos bëni krahasime o Faton. Ju keni program tjetër. Ne i kemi larguar nga pushteti ata. Ju tash folni për vete”, ka thënë Mushkolaj.
“Po mirë ua kemi bërë shumë që i kemi largu. Kurrë më mos u kthefshin”, ka deklaruar Peci.
Më tej Mushkolaj ka thënë se kjo qeveri, bujqësisë nuk i ka kushtuar më shumë se një faqe në program.
“ E rëndësishme është që çështje u trajtua”, i është kundërpërgjigjur Peci.
Edhe emri e Venera Qerkinit ka sjellë përplasje mes Pecil e Mushkolajt, pasi e njëjta ka lidhje familjare me presidenten Osmani.
“Venera Qerkini ka ardhur si huazim nga Ministria e Pushtetit Lokal në një pozitë ekuivalente. Ka qenë huazim për gjashtë muaj dhe më pas e kemi shpallur konkursin dhe unë e kam inkurajuar për të aplikuar. Jam shumë krenar për këtë gjë pasi është juriste shumë e zoja”, ka theksuarPeci.
“Venera Çerkini, është vajza e tezes së Presidentes Vjosa Osmani, apo?”, i është kundërpërgjigjur Mushkolaj.
“Presidentja i ka me dhjetëra vajza të tezeve. Venera kur e ka filluar karrierën nuk e ka filluar si familjare e Presidentes Osmani. E pakuptimtë pse e sulmoni prej një viti personin në fjalë”, i është përgjigjur Peci.