Ish-kryeministri, Avdullah Hoti, ka listuar “të këqijat” që sipas tij Qeveria Kurti ia ka sjellë Kosovës.
Në një postim në Facebook, Hoti ka thënë se Kosova nuk ka pasur kurrë sanksione dhe raporte kaq të acaruara me aletatët.
Gjithashtu, sipas Hotit, kurrë nuk ka qenë më e rëndë gjendja në investime kapitale dhe në rrugë e projekte tjera.
Hoti thotë se gjendja në komunat në veri nuk ka qenë kurrë më keq se sot.
Duke përmendur këto faktorë, Hoti thotë se kurrë më shumë qytetarë se këto dy vite nuk kanë emigruar.
Postimi i plotë i tij:
Kosova kurrë nuk ka qenë më keq në politikën e brendshme e të jashtme.
Kurrë nuk ka pasur sanksione dhe kurrë nuk i ka pasur të cenuara raportet me aleatët.
Kurrë nuk ka pasur më shumë kontrata njëburimore për projekte kapitale.
Kurrë nuk ka qenë më keq gjendja me investime kapitale në rrugë e në projekte të tjera.
Kurrë nuk ka qenë më i dobët bashkëpunimi i Qeverisë me komunat.
Kurrë nuk ka qenë më i keq bashkëpunimi mes Qeverisë dhe sindikatave e shoqërisë civile.
Kurrë nuk ka qenë më e mbyllur e më linçuese Qeveria ndaj mediave.
Kurrë nuk janë sulmuar deputetët e opozitës në parlament nga Qeveria.
Kurrë nuk janë mbyllur spitalet rajonale apo klinikat e QKUK-së për operacione të pacientëve.
Kurrë nuk ka qenë gjendja më keq në komunat në veri se tani.
Si rezultat, kurrë më shumë qytetarë nuk kanë emigruar se në këto dy vite (përveç gjatë viteve të 1990-ta). Kurrë më shumë qytetarë sesa tani nuk kanë shprehur gatishmëri për të emigruar: 57% e qytetarëve duan të emigrojnë.