U bën dy javë që Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) ka hyrë në grevë, kjo pasi Qeveria e Kosovës nuk ia ka plotësuar kërkesat sipas tyre, ndër to 100 euro shtesë për punëtorët deri në miratimin e Ligjit të Pagave.
Sekretari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (SBASHK), Ymer Ymeri në një prononcim për Telegrafin tha se nëse nuk do të ketë ndonjë marrëveshje për realizimin e kërkesave të tyre greva do të vazhdoj edhe në ditët në vijim.
Ai tha se vendimi i qeverisë për shumën e dhënë prej 50 eurove për tre muaj, është i papranueshëm për ta.
“Nëse nuk do të ketë ndonjë marrëveshje për realizimin e kërkesave tona atëherë greva vazhdon edhe në ditët në vijim, deri të arrihet një marrëveshje për plotësimin e kërkesave. Kemi diskutuar me anëtarësinë dhe vendimin që e ka marrë qeveria prej 50 eurove, ka qenë e papranueshme për mbi 90 për qind të anëtarësisë tonë”, tha ai.
Tutje tha se sot presin që të ndodh një takim me ministren e MASHT-it, Arbërie Nagavci me Këshillin e grevistëve.
“Presim një takim ndoshta sot gjatë ditës me ministren e Arsimit dhe Këshillin Grevistë të SBASHK-ut. Këshilli grevistë i BSPK-së duhet të bëj përpjekje që ta takojë kryeministrin. Është thirr një këshill ekonomik-social nga kryetari i BSPK-së në orën 13:00 që të shikojmë mundësitë mos edhe aty po gjejmë një propozim të pranueshëm për të dy palët që Këshilli t’ia rekomandoj qeverisë…”, theksoi Ymeri.
I pyetur se cili ishte qëndrimi i presidentes, Vjosa Osmani në takimin të cilën e patën zhvilluar në presidencë, ai tha: “Presidentja i ka dëgjuar të gjitha palët duke e përfshirë dhe sindikatën dhe ka rekomanduar që të ulen qeveria dhe sindikata për të gjetur një zgjidhje. Besoj që sindikatat e kanë dhënë qëndrimin e vet dhe i kanë arsyetuar kërkesat. Mendoj që presidentja është në konsultime të brendshme me kabinetin e vet për ndoshta propozimin e ndonjë modaliteti, por deri më tash nuk kemi ndonjë propozim nga presidentja…”.