Kur do të hyjë në fuqi Ligji për pagën minimale?

Projektligji për pagën minimale ka kaluar në lexim të dytë në Kuvendin e Kosovës, mbrëmjen e së enjtes.

Në parim, me të parashihet që paga minimale në Kosovë të arrijë vlerën e 264 eurove bruto për të gjithë të punësuarit, në sektor publik e privat.

Paga minimale në Kosovë aktualisht është 130 euro për punëtorët nën 35 vjeç dhe 170 euro për punëtorët deri në 65 vjeç.

Janë edhe disa shkallë deri sa ky projektligj të hyjë në fuqi dhe të shndërrohet në ligj.

Deri më tani, projektligji ka kaluar disa faza të rëndësishme. Ai është miratuar në lexim të parë në Kuvendin e Kosovës më14 qershor 2022.

Ndërsa, më 13 korrik 2023, ai është miratuar edhe në lexim të dytë në Kuvend.

Me këtë, ky ligj konsiderohet i miratuar nga Kuvendi dhe pasi nënshkruhet nga kryetari i Kuvendit, ai duhet t’i dërgohet Presidentes së vendit për nënshkrim.

Kushtetuta e Kosovës i jep të drejtë Presidentes që me arsyetim ta kundërshtojë dhe kthejë ligjin në Kuvend.

Megjithatë, për ta përmbysur veton e Presidentes nevojiten që së paku 61 deputetë të votojnë për ligjin e miratuar, i cili është kthyer në Kuvend dhe ligji konsiderohet i shpallur.

Ligji hyn në fuqi përfundimisht 15 ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës.

Edhe pas hyrjes në fuqi, secili ligj i publikuar mund të sfidohet në Gjykatën Kushtetuese dhe nëse kjo gjykatë parasheh se është në kundërshtim me Kushtetutën e vendit, mund ta shpallë atë të pavlefshëm.

Vlera e pagës minimale në Kosovë nuk ka ndryshuar që nga viti 2011 dhe është më e ulëta në Evropë, sipas Agjencisë Evropiane të Statistikave, Eurostat.

Po ashtu, ky ligj ndryshon shkallët tatimore në të ardhurat personale vjetore, si dhe procedurën e vendosjes së pagës minimale.

Ky ligj përcakton se vlera e pagës minimale do të ketë tatim zero.

Sipas ligjit, Qeveria e Kosovës në fund të çdo viti kalendarik përcakton pagën minimale, sipas propozimit të Këshillit Ekonomiko-Social. Por, në mungesë të një propozimi nga ky Këshill, ministri për Financa mund të parashtrojë një propozim për pagën minimale për Qeverinë.

Sipas një studimi të Institutit për Hulumtime të Avancuara GAP, të publikuar në muajin prill, janë më shumë se 100 mijë punëtorë në Kosovë që marrin pagë minimale. Mbi 94 për qind e tyre janë të punësuar në sektorin privat./REL