Ministri i Financave, Hekuran Murati ka deklaruar se shtesa prej 50 euro për sektorin publik nuk do të dalë në këtë pagë, por në muajin e ardhshëm.
Në mbledhjen e sotme të qeverisë është miratuar pako për përballje me inflacionin, e cila ishte prezantuar para disa javëve, ku Murati ka njoftuar se pagat janë procesuar.
Ai gjatë mbledhjes së qeverisë ka thënë se të gjithë ata që kanë punuar me orar të plotë, u janë procesuar pagat por pa shtesën 50 euro.
Ai ka prezantuar pikat për shtesa çdo muaj deri në fund të vitit për punëtorët e sektorit publik.
“Në kuadër të masës 3,6, të gjithë punonjësit e sektorit publik, të cilët kanë punuar me orar të plotë gjatë muajit dhe që marrin pagën bazë primare deri në një mijë e euro, e që kualifikohen për përfitim mbështeten me shtesën prej 50 euro nga muaji shtator deri në fund të vitit. Por, meqenëse vendimi po merret tani dhe pagat tashmë janë procesuar, shtesa e muajit shtator do të aplikohet bashkë me shtesën e muajit tetor. Pra, në muajin tetor do të marrin shtesat edhe për muajin shtator dhe pastaj për nëntor e dhjetor do të vazhdojë normal”, ka deklaruar Murati.
Pako e miratuar ka vlerën prej 150 milionë euro, ku parasheh subvencionimin e faturave të energjisë, dyfishim të pensioneve, mbështetje për studentët në muajin nëntor e shtesa për sektorin publik.