Akuzave se Gjykata Kushtetuese është dorë e zgjatur e opozitës së tanishme, iu ka përgjigjur kryetarja e Gjykatës, Gresa Caka-Nimani.
Ajo ka thënë se të gjitha partitë opozitare ndër vite e kanë përdorur të drejtën kushtetuese për t’iu drejtuar në Gjykatën Kushtetuese, duke kontestuar aktet e autoriteteve publike dhe jo vetëm aktet apo ligjet e dërguara në Kuvend.
“Të gjitha partitë politike, kanë humbur apo fituar raste të rëndësishme në Gjykatë. Sigurisht, pala humbëse gjithmonë ka kritikuar gjykatën”, tha ajo në KTV.
“Është në natyrën vendimmarrëse të Gjykatës Kushtetuese dhe jo vetëm edhe në gjykatat e rregullta që gjithmonë ka një palë humbëse, prandaj në vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese asnjëherë nuk është me rëndësi pritja e palëve para gjykatës apo perceptimi publik që mund të pasojë pas një vendimmarrje të Gjykatës”.
“Kritikat ndaj pushtetit gjyqësor apo gjykatave kushtetuese janë të zakonshme edhe në demokracitë tjera, kryesisht në demokraci më të reja. Ashtu siç kam adresuar përgjatë shënjimit gjyqësor të Gjykatës Kushtetuese, ndërveprimi mes pushteteve medoemos reflekton tension dhe ky tension reflekton faktin që demokracia në Republikën e Kosovës po funksionon”, ka thënë Caka-Nimani.
Kryetarja ka shtuar se atëherë kur politikanët do ishin të kënaqur me vendimet gjyqësore, atëherë niveli i demokracisë do të linte për të dëshiruar.