Kryetari i Kuvendit të Serbisë, Vladimir Orlliq ka deklaruar se nuk pret asgjë nga takimi i sotëm i nivelit të lartë në Bruksel mes kryeministrit kosovar Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandër Vuçiq.
Orlliqi u shpreh se Perëndimi duhet të insistonte në formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
“Është e vështirë dhe e lodhshme kur njëra palë e bën të pamundurën për të sabotuar hapur çdo temë dhe çështje dhe shpik ligësi të reja për serbët në Kosovë… Qëllimi i takimit të sotëm është Asociacioni, atë temë do ta ngreë presidenti Vuçiq,” – u shpreh z. Orlliq, transmeton Kosovo-Online.
Ai shtoi se BE-ja duhet të insistojë në përmbushjen e obligimeve të Prishtinës, por duke u tallur tha se “ndoshta Kurti është më i fortë se ata,”
Orlliq foli edhe për zgjedhjet në komunat veriore me shumicë serbe, e të cilat i cilësoi si një turp.
Ai e cilësoi këtë veprim të Qeverisë së Kosovës si vështirësues të dialogut.