Kryeshefi ekzekutiv i Inspektoratit Policor të Kosovës, Kushtrim Hodaj tha se presin që procesi i gradimit për rreshter në Policinë e Kosovës të kthehet në pikën zero.
Të gjeturat nga inspektimi, ai shtoi se tregojnë për cenim të kredibilitetit të këtij procesi.
Gjatë raportimit në Komisionin për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, Hodaj theksoi se në këtë konkurs nuk është plotësuar kriteri etnik.
“Si rezultat i këtij inspektimi kemi siguruar materiale që lidhen me procesin. Kemi ardhur në fazën që kemi hartuar një dokument me listën e te gjeturave. Siç e kemi cekur në dokument, kemi vënë në pah që në procesin e gradimit janë bërë disa lëshime. Kemi gjetur që nuk ka harmonizim të kohëzgjatjes dhe niveleve të gradimit për të fituar të drejtën për të aplikuar”, tha Hodaj sot në Komisionin për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes.
Hodaj theksoi se kanë dërguar tetë rekomandime në Policinë e Kosovës për rishikimin e Udhëzimit Administrativ për këtë gradim.