Ky veprim ka qenë i natyrës politike”, kishte thënë. Por kryeparlamentari që edhe në gjyq e kishte pranuar se kishte hedhur gaz lotjsellës, dje u lirua nga kjo akuzë. Glauk Konjufcën e ruajtën pak edhe deputetë e ish-deputetë që ishin paraqitur në gjykatë si dëshmitarë. “Po të shpallej fajtor, do ta humbte postin e kryeparlamentarit”, thonë nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.
Kryeparlamentari Glauk Konjufca të hënën u lirua nga akuza për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend para rreth tetë vjetësh, kur Lëvizja Vetëvendosje bënte opozitë në këtë mënyrë.
“Në pajtim me rrjedhën e procedurës penale, provat personale dhe materiale të vlerësuara nga Gjykata, nuk është provuar se i pandehuri ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet”, tha gjykatësja Edita Çanta teksa e lexonte aktgjykimin.
Konjufca u akuzua se kishte kryer veprat penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” dhe “Pengim i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare”. Për të parën, Gjykata Themelore e Prishtinës e liroi nga akuza dje, ndërsa akuza e dytë iu parashkrua, siç kishte deklaruar e njëjta gjykatëse në një seancë gjyqësore më 25 tetor të vitit të kaluar.
Seancat gjyqësore ndaj Konjufcës u shtynë 5 herë, për arsye të ndryshme: një herë me kërkesë të tij, një herë sepse s’kishte angazhuar avokat, një herë sepse e kishte harruar datën e seancës, e një herë s’ishin paraqitur dëshmitarët.
Dëshmitarë në gjykim ishin deputetë e ish-deputetë nga partitë tjera politike: Adem Grabovci, Ismet Beqiri, Sabri Hamiti, Pal Lekaj, Valdete Bajrami dhe Sllobodan Petroviq. Pothuajse asnjë prej tyre nuk tha qartësisht se Konjufca kishte hedhur gaz lotsjellës në një mbledhje të Kryesisë së Kuvendit më 10 gusht 2016, ku pritej të diskutohej futja në rend dite e projektligjit të atëhershëm për ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi.
Dy përfaqësuesit e kanë pasë, Aida dhe Glauku… Këta e kanë hedhë tinëz, e kanë hedhë nën tavolinë.. Unë nuk i kam fotografu”, kishte deklaruar ish-nënkryetari i Kuvendit, Sabri Hamiti në gjykatë. Por kjo nuk mjaftoi.
Gjykatësja Çanta tha se nga deklarimi i dëshmitarëve gjatë shqyrtimit gjyqësor, asnjëri prej tyre nuk e ka inkriminuar Konjufcën si kryerës të veprës penale.
Kryetari i Kuvendit ishte deklaruar i pafajshëm në shqyrtimin fillestar ndaj tij, por edhe në gjyq e kishte pranuar se kishte hedhur gaz lotsjellës.
“Mbetem pranë asaj që kam thënë në shqyrtim fillestar, unë jam i pafajshëm, ky veprim ka qenë i natyrës politike. Pretendoj që nuk kam përdorur kurrfarë arme, deklaroj që jo vetëm nuk i kam bërë dëm askujt, po as s’kam pas qëllim të tillë”, deklaronte Glauk Konjufca në një seancë gjyqësore më 8 korrik të vitit 2022.
Paraprakisht, ai në një prononvim për media kishte pranuar se kishte hedhur gaz lotsjellës.
Flamur Kabashi nga IKD-ja tha se vendimi për ta liruar Glauk Konjufcën nga akuza nuk ishte i lehtë, pasi ndryshe do të sillte disa pasoja për kryeparlamentarin.
Kabashi tha në Frontal se me një vendim dënues, Konjufca do ta humbte edhe mundësinë që të kandidonte as në zgjedhjet e ardhshme.