Kryeministri slloven: Nëse është e nevojshme të vendosen sanksione ndaj Serbisë, do të bashkohemi

Kryeministri slloven, Robert Golob, me të mbërritur sot në samitin e Komunitetit Politik Evropian (EPS) në Granada të Spanjës, bëri thirrje për kujdes në vendosjen e sanksioneve të mundshme kundër Serbisë pas agresionit të fundit në Banjskë të Zveçanit.

Sipas tij, nuk është e nevojshme që ato të çojnë në zgjidhje të përhershme, por Sllovenia do t’iu bashkohet sanksioneve nëse ka një qëndrim të unifikuar për këtë në BE.

Siç tha ai, liderët e vendeve anëtare të BE-së ende nuk kanë diskutuar për vendosjen e sanksioneve të mundshme ndaj Serbisë.

“Por unë mendoj se duhet të jemi të kujdesshëm, konsistent dhe këmbëngulës”, theksoi ai, transmeton Klankosova.tv.

Sipas kryeministrit, është e nevojshme qetësimi i situatës dhe kërkimi i një zgjidhjeje të përhershme.

“Unë nuk besoj se sanksionet në vetvete mund të çojnë në një zgjidhje të përhershme. Nëse është e nevojshme dhe nëse ka një qëndrim të unifikuar, Sllovenia do të bashkohet. Por ky nuk është domosdoshmërisht hapi i parë dhe i vetëm”, tha ai.

“Ngjarjet e fundit në veri të Kosovës, ku një polic i Kosovës dhe tre sulmues serbë u vranë në një sulm terrorist dhe përleshje pasuese, janë të dënueshme”, tha Golob.

“Është e drejtë që komuniteti ndërkombëtar të dënojë individët që inkurajuan përshkallëzimin. Sllovenia gjithashtu dënon ashpër individët që morën pjesë në këtë ose e drejtuan këtë proces”, tha ai.

Zgjidhjen e tensioneve ai e sheh në përsëritjen e zgjedhjeve në katër komuna me shumicë serbe në veri të Kosovës. Ai u bëri thirrje të gjithëve, përfshirë serbët e Kosovës, që të marrin pjesë në zgjedhje për të zgjedhur autoritetet legjitime, shkruan Megafon.si