Shumë deputetë të Parlamentit Evropian kanë shprehur vërejtje dhe kritika të ashpra për procesin zgjedhor që u mbajt në Serbi në dhjetorin e vitit të kaluar dhe për zhvillimet edhe pas këtyre zgjedhjeve.
Për situatën politike në Serbi është diskutuar më 23 janar në Komisionin për politikë të jashtme të Parlamentit Evropian. Aty folën edhe përfaqësuesit e Komisionit Evropian dhe të Shërbimit të veprimit të jashtëm të BE-së (EEAS). Edhe ata thanë se zgjedhjet parlamentare, lokale dhe krahinore në Serbi, që u mbajtën më 17 dhjetor, nuk u zhvilluan në kushte të barabarta.
Zëvendësdrejtori menaxhues, Marko Makovec, që foli në emër të EEAS-it, rikujtoi deklaratën e përbashkët të cilën e kishin dhënë përfaqësuesi i lartë Josep Borrell, dhe komisionari për Zgjerimit, Oliver Varhelyi, se janë të shqetësuar për disa çështje që duhet të hetohen e adresohen dhe se janë të domosdoshme reformat.
Makovec tha se sundimi i ligjit mbeten në qendër të procesin të anëtarësimit të Serbisë në Bashkimin Evropian. Ai rikujtoi se Serbia duhet të zbatojë të gjitha marrëveshjet e arritura në dialogun për normalizim të raporteve me Kosovën, që ndërmjetësohet nga blloku evropian.
“Viti 2023 ishte një vit me zhvillime të përziera në procesin e normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë. Pamë përshkallëzime serioze, sulme ndaj ushtarëve të KFOR-it në maj dhe sulme të dhunshme në Banjskë më 24 shtator. Por, pamë edhe përparim në disa fusha”, tha ai, duke nënvizuar se viti 2023 përfundoi me disa hapa pozitiv, siç ishte çështja e targave të makinave dhe ajo e energjisë.
Megjithatë, Makovec konstatoi se sipas vlerësimit të BE-së, sa i përket situatës në veriun e Kosovës, e banuar me shumicë serbe, nuk ka pasur përparim ashtu siç është pritur.
“Zbatimi i marrëveshjes nga dialogu, pa vonesa dhe pa parakushte, mbetet kusht i qartë. Të gjithë duhet të përmbahen nga veprimet e njëanshme që mund të nxisin tensionet”, theksoi ai.
Makovec po ashtu deklaroi se duhet të ketë përgjegjësi për sulmin në Banjskë të Zveçanit.
Më 24 shtator, një grup i armatosur serbësh sulmuan policinë e Kosovës, duke vrarë një rreshter. Gjatë përleshjeve u vranë edhe tre sulmues serbë. Përgjegjësinë për sulmin e mori Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit.
Për sulmin, Kosova ka fajësuar Serbinë, por Beogradi ka mohuar se ka gisht në të.