Krimineli i luftës Ratko Mlladiq, i cili po vuan dënimin e përjetshëm në Hagë për krime lufte, është shtruar në spital dhe është në shëndet të keq, njoftuan familjarët e tij.
Djali i tij Darko Mlladiq ka thënë se ish-gjenerali i serbëve të Bosnjës ishte shtruar në spital për një javë për shkak të gjendjes së brishtë shëndetësore.
Ai ishte fillimisht në spitalin civil në Hagë, ndërsa që nga e enjtja ndodhet në objektin shëndetësor të burgut të Mekanizmit Ndërkombëtar të Mbetur për Gjykatat Penale me seli në Hagë.
Në qershor të vitit 2021, gjykata në Hagë konfirmoi dënimin e përjetshëm të Ratko Mlladiq për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte të kryera në Bosnje nga viti 1992 deri në vitin 1995.
Ai u shpall fajtor për gjenocid për rolin e tij në masakrën e Srebrenicës, kur forcat serbe të Bosnjës vranë rreth 8.000 burra dhe adoleshentë myslimanë në korrik 1995.
Darko Mlladiq u tha disa mediave në Serbi dhe Bosnjë e Hercegovinë se babai i tij vuante nga “pneumonia, akumulimi i lëngjeve në mushkëri dhe dështimi i zemrës”./Kp