Kreu i EFJ-së i reagon ashpër Dimal Bashës: BOLL MA, Kurti të marrë masa menjëherë

Ricardo Gutierrez, sekretar i përgjithshëm i Federatës Europiane të Gazetarëve (EFJ) është shprehur thellësisht i shqetësuar për sulmet e deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha.

Gutierrez ka përmendur edhe sulmet e mëhershme të Bashës, të cilit edhe në gjuhën shqipe i ka kërkuar të ndalet, raporton Gazeta Express.

“Zoti Basha, ju kërkoj të ndaloni intimidimin dhe përpjekjet për t’i diskredituar gazetarët dhe organizatën e gazetarëve. Mjaft është mjaft. Apo duhet të flas në gjuhën tuaj: BOLL MA. Kjo është thjesht e papranueshme në vendet demokratike”, shkroi sekretari i EFJ-së në një reagim në Facebook.

“Si guxoni të silleni në këtë mënyrë ndërsa vendi juaj po lufton për anëtarësimin në Këshillin e Europës? Sjellja juaj e papërgjegjshme po e dëmton reputacionin e Kosovës”, shtoi ai.

Gutierrez i ka bërë thirrje kryeministrit Albin Kurti që të marrë masa.

“I bëj thirrje kryeministrit të Kosovës Albin Kurti që menjëherë të marrë masa që anëtarët e partisë së tij t’i ndalojnë sulmet e vazhdueshme kundër gazetarëve dhe shoqërisë civile”, shkroi ai.

Gutierres thotë se shpresonte që LVV-ja do të reflektonin pas lajmit të keq të së premtës, ku Kosova shënoi regres të madh  në indeksin e “Reporterët pa Kufij” për lirimë e mediave.

“Shpresoja se lajmi i keq i së premtes për nivelin alarmues negativ të lirisë së medias në Kosovë do ta bënte Vetëvendosjen dhe anëtarët e saj të reflektonin për përgjegjësinë e tyre. Isha gabim”, shkroi Gutierrez.

Paraprakisht, ai kujtoi se si deputeti Basha  në Ditën Botërore të Lirisë së Mediave ai e akuzoi gazetaren e RTK-së se “po bën pyetje të ngjashme me ato të Radio Televizionit të Serbisë!”.

“AGK e mbrojti atë dhe i bëri thirrje zotit Basha që të përmbahet nga një gjuhë kaq e rrezikshme”.

“Të shtunën, zoti Basha dyfishoi sulmet ndaj gazetarit të AGK-së dhe RTK-së, duke i lidhur sërish me Serbinë”, shkroi Gutierres.

Ai gjithashtu përmendi se disa javë më parë, Basha “sulmoi kryetarin e respektuar dhe të pavarur të Komisionit të Pavarur për Media, Jeton Mehmetin”.