Krenarë për luftën në fjalët përmbyllëse, drejtuesit e UÇK-së: ‘I vetmi vendim i drejtë, pafajësia e plotë’

Në Hagë, në sallën e Dhomave të Specializuara, katër ish-krerë të UÇK-së dhanë fjalët e tyre përmbyllëse.

Procesi gjyqësor, që ka nisur para plot pesë viteve, është shpallur proceduralisht “i mbyllur” nga trupi gjykues.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, që të katërit hodhën poshtë akuzat.

Ata e cilësuan procesin si përpjekje për të goditur UÇK-në dhe themelet e shtetësisë së Kosovës.

Ish-Presidenti Hashim Thaçi e nisi fjalën me një deklaratë të prerë: “Është vetëm një e vërtetë. Unë jam plotësisht i pafajshëm.”

Ai tha se gjatë tre viteve në sallë janë dëgjuar akuza dhe e vërteta, por sipas tij, “akuzat nuk qëndrojnë”.

Thaçi kujtoi fillimin e vitit 1998. “Në kohën e masakrave… isha student në Cyrih. Nuk po bëja plane për ta marrë kontrollin e Kosovës.”

Thaçi shtoi se “i vetmi njeri që bënte plane morbide ishte Sllobodan Millosheviqi”.

Ai tha se vendosi të kthehej në Kosovë pasi pa masakrat. “Nuk mund të qëndroja indiferent… bëra atë që do të bënte secili prej jush.”

Për këtë jam krenar dhe nuk i bie pishman asnjëherë,” deklaroi ai.

Thaçi e quajti procesin “ofendim për kujtimin e heronjve dhe mijëra viktimave”, si dhe për “përpjekjet e NATO-s me të cilët bashkëpunuam ngushtë”.

Në fund, ai kërkoi nga trupi gjykues që vendimi të jetë “në përputhje me Kushtetutën e Kosovës”.

“I vetmi vendim i drejtë është pafajësia e plotë,” tha ai.

Thaçi akuzoi Zyrën e Prokurorit të Specializuar se po mbështetet në narrativa të Serbisë së Millosheviqit.

“Kjo prokurori i lartëson në qiell dëshmitë e fabrikuara nga epoka e regjimit të Sllobodan Millosheviqit,” deklaroi ai.

Kadri Veseli, ish-kryeparlamentar, mbajti një ton të ngjashëm.

“Unë e di kush jam, çfarë kam bërë e çfarë nuk kam bërë,” tha ai para gjykatës.

Ai theksoi se veprimet e tij “kanë qenë ligjore” dhe se “nuk ka asnjë provë” që ka kryer krime lufte.

“Edhe në momentet më të errëta nuk e humba besimin se e vërteta do të triumfojë,” deklaroi Veseli.

Ai foli për përvojën personale të persekutimit. “E di çka do të thotë të jetosh në kërcënim të vazdueshëm… nuk do t’ia dëshiroja askujt.”

Pas dekadash hetimesh, tha ai, “nuk ka asnjë provë se kam kryer krime”.

Në fund të fjalës, Veseli falënderoi ekipin mbrojtës dhe shtoi: “Gjithashtu urime pavarësia e Kosovës.”

Rexhep Selimi e përqendroi fjalimin në akuzën se Prokuroria po synon vetë UÇK-në.

“Kam përshtypjen që ZPS kërkon dënimin e Shtabit të Përgjithshëm,” tha ai.

Sipas Selimit, “shënjestër e saj është pikërisht UÇK-ja, vetë pavarësia”.

Ai tha se aktakuza e paraqet kërkesën për pavarësi si pjesë të një “Ndërmarrjeje të Përbashkët Kriminale”.

“Prokuroria mbajti akuzime si ‘Shtabi i Përgjithshëm kërkonte Pavarësinë’,” tha ai.

Selimi pyeti: “Është vështirë të kuptohet kundër kujt është ngritur kjo aktakuzë? Kundër nesh se luftuam për pavarësinë?”

Ai kundërshtoi pretendimet për ndarje të shoqërisë kosovare.

Në Kosovë nuk ka pasur asnjë parti që ishte kundër pavarësisë,” deklaroi ai.

Selimi e quajti të padrejtë barazimin e luftës çlirimtare me krimin.

“Lufta çlirimtare nuk mund të barazohet me shtetin vrasës të Serbisë,” tha ai.

“Ta barazosh rezistencën e një populli me plan kriminal… është thellësisht e padrejtë.”

Ai kujtoi represionin serb dhe pyeti: “Çka të bënim ne? Të prisnim radhët për t’u vrarë?”

Jakup Krasniqi u paraqit si një njeri i formuar nga lufta për dinjitet.

“Qëndroj sot këtu jo si një kriminel… por si një njeri i kalitur në luftë për dinjitet njerëzor,” tha ai.

Ai tha se ka kaluar 16 vite të jetës në burg për lirinë e Kosovës.

“Të kesh kaluar 16 nga 75 vite në burg nuk është diçka e vogël,” deklaroi ai.

Krasniqi kujtoi daljen e tij publike në qershor 1998, pas masakrave në Çirez, Likoshan dhe Prekaz.

“Këto vrasje brutale shënuan pikë kthese,” tha ai.

Ai akuzoi Prokurorinë se po ndërton çështjen mbi “narrativat e atyre që shkaktuan disa lufta në FRY”.

“Drejtësia duhet të ndërtohet mbi prova të besueshme dhe të vërtetën,” theksoi ai.

“Figura e përshkruar në aktakuzë nuk është njeriu që qëndron sot para jush.

Pas më shumë se pesë vitesh paraburgim, procesi po hyn në fazën vendimtare.

Katër ish-udhëheqësit kërkojnë pafajësi të plotë.

Verdikti i trupit gjykues pritet të përcaktojë jo vetëm fatin e tyre, por edhe mënyrën si do të lexohet një kapitull i historisë së Kosovës.