Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, e ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti se veriun e vendit po e përdor për t`i mbuluar dështimet e tij në qeverisjen e brendshme.
Për këtë arsyeje, sipas tij, kryeministri po prodhon kriza të vazhdueshme.
Në një intervistë për gazetën Nacionale, ai ka thënë se Kurti e ka bërë veriun mbulesë për gjithçka.
“Agjenda kryesor me të cilën merremi sot ne si politik, ju si media, bashkësia ndërkombëtare si partnere është veriu. Pse ne nuk po merremi me cilësinë në arsim, me shëndetësinë që është e kolapsuar, me ekonominë që është e sakatuar, me mirëqenien që ka degraduar në Qeverinë Kurti dhe me politikën e jashtëm që është në koma totale. Sepse Albin Kurti e ka jorganin e tij që është veriu, Serbia, Vuqiq. Krejt probleme ditore të kosovarë ai i mbulon më këtë jorgan, duke u thirrur në nacionalizëm e popullizem, duke folur për luftëra e rreziqe. E vërteta është se nuk ka zgjedhje për problemet me të cilat ballafaqohemi çdo ditë, por ka një agjendë që është më shumë e stisur për shkak të dështimeve të kësaj qeveria në përmirësimin e jetës së qytetarëve”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se situata në veri është shumë me keqe se vitin e kaluar.
“Kush mundet me na thanë që sot në veri kemi me shumë shtet sesa para një viti. Para një viti ka pasur një integrim, i cili pavarësisht sa ka qenë fragjil, sa ka qenë i brishtë, ka ekzistuar. Ke pasur kryetar të komunave, të cilët ndoshta nuk kanë pasur lojalitet të mjaftueshëm ndaj Republikës së Kosovës, ama janë zgjedhur me fletëvotime ku shkruante Republika e Kosovës. I kanë zbatuar ligjet e Republikës së Kosovës. Kanë lëshuar dokument të Republikës së Kosovës”, ka thënë Krasniqi.