Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, Vlora Çitaku, ka reaguar pas mbajtjes së protestës së pjesëtarëve të Njësitit Special Intervenues para Qeverisë së Kosovës.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Krasniqi ka thënë se pamjet e sotme s’do duhej t’i shihnim kurrë, teksa shtoi se krenaria e shtetit po detyrohet të protestojë para Qeverisë së vendit kundër injorimit dhe nënçmimit që iu bëhet nga ta.
Sipas tij, pamjet e sotme janë e vërteta e turpshme e Qeverisë të cilën e quan të paaftë.
“Këtë fotografi nuk është dashur ta shohim kurrë! Posaçërisht, pas zhvillimeve të fundit në pjesën veriore të vendit tonë. Njësiti Special Intervenues dhe Njësiti për Trajtimin e Mjeteve Eksplozive, krenaria e shtetit tonë, detyrohen të protestojë para Qeverisë së vendit të vet, kundër injorimit dhe nënçmimit që po ju bëhet nga ta. Përtej fjalëve boshe për Policinë e Kosovës, fatkeqësisht, kjo fotografi është e vërteta e turpshme e kësaj Qeverie të paaftë”, shkroi Krasniqi.
Kjo njësi po proteston për të shprehur pakënaqësitë e tyre rreth vendimit për shtesat e policëve, që u mor gjatë mbledhjes së qeverisë të së premtes.
Sipas propozimit të Qeverisë, lartësia e shtesave do të jetë e ndryshme për 7 kategori, dhe do të sillen nga 45 deri në 150 euro.
Shtatë kategori të pozitave në këtë institucion pritet që me pagat e nëntorit t’i marrin edhe shtesat, të cilat sillen nga 45 deri në 150 euro dhe që pritet të merren në mënyrë retroaktive edhe për muajt që nga miratimi i Ligjit të pagave.
Sipas propozimit, pjesëtarët e njësive elitare (Njësia Speciale Intervenuese, Njësia për Ndërhyrje të Shpejtë dhe Njësia për Mbrojtje të afërt) do t’i marrin nga 150 euro shtesë në pagën bazë.