Krasniqi: Jam i bindur se këtë vit do të ketë zgjedhje, Asociacioni barrë e rëndë për Kurtin

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi ka deklaruar se Asociacioni dhe dialogu është barrë e rëndë për kryeministrin Kurti, andaj zgjedhjet e parakohshme janë në horizont gjatë vitit 2024.

“Unë jam i bindur se vitin e ardhshëm do të ketë zgjedhje. Po shihet tashmë edhe nga deklarimet dhe veprimet e qeverisë dhe kryeministrit Kurti, nga tubimet e karakterit elektoral, por edhe nga forma aspak korrekte dhe e drejtë e shpenzimit të buxhetit të shtetit në raport me subvencionimet e ndryshme që i kanë bërë dhe që i kanë planifikuar. Por, mbi të gjitha, edhe nga mënyra e propagandimit që po vazhdojnë ta bëjnë, përkundër mungesës së rezultateve konkrete në cilëndo prej fushave. Besoj se në vitin 2024 gjithsesi do të kemi zgjedhje të parakohshme, por nuk mund të them me siguri se a do të mbahen ato në qershor, në tetor më herët apo më vonë”, tha ai.

Tutje Krasniqi ka thënë se Kurti duhet të vendosë ose duhet të pranojë dhe të miratojë draftin për statusin e asociacionit dhe ta dërgojë në Kushtetuese ose ta refuzojë.

“Asociacioni, dialogu dhe gjërat që ndërlidhen me të edhe të kaluarën i kanë përfunduar qeverisjet parakohshëm. Kurti nuk do të jetë imun ndaj kësaj, pasi hapësira për taktizime i është zvogëluar maksimalisht. Ai duhet të vendosë ose duhet të pranojë dhe të miratojë draftin për statusin e asociacionit dhe ta dërgojë në Kushtetuese ose ta refuzojë. Cilindo prej këtyre veprimeve do të ketë pasojat për të personalisht dhe qeverinë që ai udhëheq. Do të ketë ndikim në kontekstin politik për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme”, thekson Krasniqi për kp.