Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, është shprehur i frustruar me rezultatet e Kosovës në testin PISA.
Në një postim në Facebook, ai ka thënë se vendi ynë është radhitur më keq se në vitin 2014 e 2018, shkruan lajmi.net.
“Sot u konfirmua rënia e thellë e rezultateve të nxënësve të Kosovës në testin e PISA-s në lexim, matematikë dhe shkencë. Kosova renditet, praktikisht, në fund të tabelës së 80 shteteve pjesëmarrëse. E dhembshme! E tmerrshme”, shkroi ai.
Sipas tij, krejt kjo është si rrjedhojë e qeverisjes.
Postimi i plotë i Krasniqit:
Analfabetizmi qeveritar po prek shkollat tona – në testin PISA, Kosova më keq se më 2014 e 2018.
Sot u konfirmua rënia e thellë e rezultateve të nxënësve të Kosovës në testin e PISA-s në lexim, matematikë dhe shkencë. Kosova renditet, praktikisht, në fund të tabelës së 80 shteteve pjesëmarrëse. E dhembshme! E tmerrshme!
Në secilën fushë ka rënie drastike të pikëve, krahasuar me vitin 2014 dhe vitin 2018, kur është mbajtur për herë të fundit testi PISA.
Ne e kemi ditur, por tashmë edhe po dëshmohet, se qëllimi i kësaj Qeverie nuk ka qenë asnjëherë reforma arsimore e as përmirësimi i jetesës së qytetarëve tanë. Analfabetizimi qeveritar, fatkeqësisht, tashmë po shkatërron edhe shkollat tona!.