Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka pritur sot në zyret e partisë së tij zëvendësministrin e Punëve të Jashtme të Turqisë, Mehmet Kemal Bozay, së bashku me delegacionin e tij.
I pari i PDK-së ka bërë të ditur se me delegacionin turk kanë diskutuar për zhvillimet e fundit politike në Kosovë si dhe qëndrimet e partisë në raport me to dhe rrugën më të mirë përpara për vendin.
Ndër të tjerash Krasniqi ka falenderuar Bozay për mbështetjen e shtetit të Turqisë, teksa ka shtuar se thellimi i bashkëpunimit mes dy vendeve duhet të vazhdojë.
Postimi i plotë:
Në selinë e Partisë Demokratike të Kosovës, kisha kënaqësinë të mirëpres sot Zëvendësministrin e Punëve të Jashtme të Turqisë, z. Mehmet Kemal Bozay dhe delegacionin e tij.
Mysafirët i njoftova me zhvillimet e fundit politike në Kosovë, qëndrimet e PDK-së në raport me to dhe rrugën më të mirë përpara për vendin, drejt integrimit euro-atlantik e duke ruajtur raportet me aleatët përmes veprimeve të përgjegjshme politike.
Zëvendësministrin Bozay e falënderova për vizitën, interesimin dhe gatishmërinë e vazhdueshme të shtetit tonë mik, Turqisë, për të ndihmuar Kosovën në të gjitha etapat e shtetformimit. Thellimi i bashkëpunimit mes dy vende tona në fusha të ndryshme është në funksion të miqësisë mes vendeve tona dhe fuqizimit të shtetit tonë.