Kryetari i PDK, Memli Krasniqi, beson se rruga më e mirë për daljen e Kosovës nga situata aktuale janë zgjedhjet e reja.
Ai ka vlerësuar se kjo duhet të arrihet me dorëheqjen e kryeministrit Albin Kurti ose me marrëveshje të partive politike për shpërbërjen e Kuvendit të Kosovës.
Në një intervistë dhënë gazetës Nacionale, Krasniqi është shprehur i bindur se PDK-ja do të dilte mirë në këto zgjedhje. Ai ka thënë se pas zgjedhjeve, Albin Kurti nuk do të jetë kryeministër i Kosovës.
“Një gjë do t’ua them, Alibin Kurti nuk do të jetë kryeministri i ardhshëm. Kjo është me rëndësi. Albin Kurti nuk do të jetë kryeministri i ardhshëm, ne do ta përcaktojmë”, ka thënë Krasniqi.
Ai ka treguar se për krijimin e qeverisë së re pas zgjedhje do të nevojitet një koalicion i gjerë. I pari i partisë më të madhe opozitare, ka vlerësuar se kryeministri i ri do të jetë nga PDK-ja.
“PDK-ja në radhë të parë. Por, unë besoj se Kosova ka me pasë nevojë për një koalicion të gjerë, jo vetëm partiak e politik. Një koalicion të shoqërisë, një koalicion ku bëjnë pjesë njerëzit e mençur dhe njerëzit e mirë të Kosovës, njerëzit që dëshirojnë me kontribu për këtë vend, njerëz që nuk janë në pushtet vetëm për hir të pushtetit, por njerëz që janë në pushtet për hir të shërbimit”, ka thënë ai.
Krasniqi është shprehur optimist se një koalicion i tillë do të arrihej lehtësisht. Sipas tij, një koalicion i tillë do të ofronte një qeveri ndryshe.
“Unë besoj se ne do të arrijmë që t`i bëjmë të gjithë bashkë në një vend për t`i dhënë Kosovës një qeveri ndryshe, një qeveri të re, një qeveri që e kthen shpresën në këtë vend, një qeveri që në tre muajit e parë i zhbën vendimet e këqija të gabueshme e të dëmshme të kësaj qeveria”, ka thënë Krasniqi.