KQZ: Votat me kusht dhe ato të mërgatës numërohen javën e ardhshme

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po planifikon që javën e ardhshme të fillojë me numërimin e votave me kusht, votave të personave me nevoja të veçanta dhe votave nga votimi jashtë Kosovës.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka konfirmuar një gjë të tillë dhe ka deklaruar se numri i fletëvotimeve me kusht është 12 mijë e 801 dhe personave me aftësi të veçanta 2 mijë e 597 vota.

Votat me kusht, siç tregon Elezi, do t’i nënshtrohen procedurës së verifikimit, që përfshinë edhe krahasimin e listës së votuesve të nënshkruar në vendvotimet e rregullta.

“Pas përfundimit të të gjitha procedurave, siç janë: skanimi i listës së votuesve të nënshkruar në vendvotimet e rregullta me qëllim të krahasimit me votuesit nga vendvotimet me kusht; vlerësimi i pakove me fletëvotime nga votimi jashtë Kosovës, KQZ do të fillojë me numërimin e votave me kusht, votave të personave me nevoja të veçanta dhe votave nga votimi jashtë Kosovës. Kjo do të bëhet gjatë javës së ardhshme në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve dhe sigurisht se mediat dhe vëzhguesit do të njoftohen me kohë”, ka thënë Elezi.

I pyetur se çfarë po punohet aktualisht në Qendrat e Numërimit, Elezi ka treguar se aty po vazhdon të bëhet vlerësimi i pakove me fletëvotime nga votimi jashtë Kosovës.