Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pezulluar subjektin politik “Gradanska Inicijativa Gore”, kjo për shkak që ky subjekt politik nuk ka mbajtur Kuvendin Zgjedhor me datën e paraparë, por, i është dhënë afat prej 45 ditësh që të mbajë të njëjtin.
KQZ-ja në mbledhjen e mbajtur të mërkurën gjithashtu ka votuar pro regjistrimit të partisë politike, “Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës”.
Drejtor i Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Partive Politike, Besnik Buzhala ishte ai që dha këtë rekomandim, duke thënë se Kuvendi është dashur të mbahej më 20 qershor.
“Kuvendi i radhës për t’u mbajtur nga ky subjekt politik data e fundit ka qenë 20 qershor 2024. Meqenëse subjekti politik nuk e ka mbajtur Kuvendin Zgjedhor më datën 20 qershor 2024 atëherë zyra rekomandon që të pezullohet subjekti politik Graðanska Inicijativa Gore, me akronimin GIG dhe KZQ-ja të merr vendim dhe ta obligojë që për 45 ditë prej momentit të pranimit të këtij vendimi të mbajë Kuvendin Zgjedhor të radhës. Ky është rekomandimi sa i përket vendimit për pezullimin e subjektit politik Graðanska Inicijativa Gore”, ka thënë Besnik Buzhala.
Ndërsa, kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi tregoi që ky rekomandim u votua më 10 vota për, çka bëri që kjo parti politike të pezullohet.
“Me 10 vota për miratohet, ashtu që partia politike Graðanska Inicijativa Gore, pezullohet. Ndërsa, i jepet afat shtesë prej 45 ditësh që të mbajë Kuvendin e saj”, ka thënë kryetari Kreshnik Radoniqi.