21.8 për qind e qytetarëve të Kosovës ishin në rrezik nga mbingarkesa e borxhit ndaj bankave. Por, veç deri në muajin gusht, fitimet e pastra të këtyre bankave ishin gati 100 milionë euro.
Veç deri në muajin gusht, bankat komerciale në vend kanë regjistruar fitim të pastër prej 97 milionë eurove.
Krahasuar me një muaj paraprak, pra muajin korrik 2022, në të cilat bankat kishin një fitim prej 83.1 milionë euro, në muajin gusht fitimi i tyre u rrit për 13.9 milionë më shumë gjë që i çoi bankat në një fitim prej 97 milione eurove.
Sipas raportit të fundit të BQK-së, me titull “Sistemi Financiar Informata Mujore Gusht 2022”, shihet se shuma e të hyrave të bankave në vend deri në muajin gusht preku vlerën prej 240.1 milionë euro për dallim nga muaji korrik në të cilin shuma e të hyrave ishte në vlerë prej 206.7 milionë eurove.
Nga gjithë kjo shumë e të hyrave, 168.7 milionë euro ishin të hyra nga interesi, ndërkohë që shuma e shpenzimeve preku shifren prej 143.1 milionë eurove.
Vlera e aseteve për 8 muaj ishte 6,387.5 milionë euro, ndërkohë që kreditë e lëshuara për këtë përiudhë shkuan në 4,178.8 milionë euro.
Sipas të dhënave nga po i njëjti raport, 1,561.9 milionë euro u lëshuan për kreditë familjare, ndërsa 2,588.3 milionë për korporatat jofinanciare.
Nëse krahasohet me muajin korrik të këtij viti, vërehet një rritje e shumës se kredive, pasiqë deri në muajin korrik shuma e tyre shkoj deri në 4,164.4 milionë euro.
11.8 mijë ishte shuma e lëshuar për korporatat tjera financiare për këto 8 muaj.
Në raport po ashtu theksohet se ndryshimi vjetor për kredi në muajin gusht u rrit në 18.6 për qind, nga 18 për qind sa ishte në muajin korrik të këtij viti.
Shuma e depozitave deri në gusht arriti të prekë shifrën prej 5,206.1 milionë eurove. Shumë kjo e cila në korrik ishte 5,006.3 milionë euro.
Gjatë kësaj përiudhe norma në kredi ra në 6 për qind nga 6.1 për qind sa ishte në muajin korrik.
Ndryshe, në Kosovë operojnë 11 banka komerciale, 9 prej të cilave janë me pronësi të huaj.
Në anën tjetër, në bazë të një raporti po nga BQK-ja të marsit të vitit 2022, dilte se ishte rritur tepër shumë borxhi i familjeve kosovare ndaj bankave.
Sipas atij raporti mbi të cilin raportonte gazeta Nacionale më herët, në fazën e parë të mbingarkesës me borxh – në rrezik për mbingarkesë ngase kësti mujor i huasë përbën 50 deri në 75 për qind të të hyrave mujore – janë 21.8 për qind të huamarrësve, pra qytetarëve.