Kosova përballë një testi të mundshëm të sigurisë

Në qershor të vitit 1999, ndërsa Kosova po dilte nga lufta dhe refugjatët po ktheheshin, NATO-ja vendosi misionin e saj paqeruajtës, KFOR, me qëllim krijimin e një mjedisi të sigurt dhe parandalimin e rikthimit të dhunës.

Ai nuk ishte misioni i parë i aleancës ushtarake, por do të bëhej misioni i saj më jetëgjatë, operacioni më i madh aktiv dhe një nga ndërhyrjet më të suksesshme.

Forca shumëkombëshe numëronte fillimisht mbi 50.000 ushtarë, prej të cilëve rreth 7.000 amerikanë. Sfidat për ndërtimin e një të ardhmeje pas shkatërrimit të gjerë që la sulmi serb, ishin të jashtëzakonshme, sipas presidentit të atëhershëm amerikan, Bill Clinton.

Pesë muaj pas përfundimit të luftës, ai udhëtoi në Kosovë për të takuar trupat amerikane në kampin Bondsteel – bazën më të madhe ushtarake të SHBA-së në Ballkan dhe një nga simbolet më të fuqishme të pranisë së saj në rajon.

“E di se shumë nga detyrat tuaja janë ende të rrezikshme. E vlerësoj punën e palodhshme që keni bërë për të mbrojtur të gjithë njerëzit në Kosovë, përfshirë edhe serbët. Dhe, e vlerësoj ndërmjetësimin tuaj të vazhdueshëm mes njerëzve që kanë ende një rrugë të gjatë drejt pajtimit”, tha Clinton në nëntor të vitit 1999.

Më shumë se 26 vjet më vonë, siguria në Kosovë është përmirësuar ndjeshëm, ndërsa prania e KFOR-it është zvogëluar në rreth 4.700 trupa. Megjithatë, reduktimi i forcave nuk do të thotë se stabiliteti është i garantuar.

Mungesa e pajtimit të plotë dhe refuzimi i vazhdueshëm i Serbisë për ta njohur pavarësinë e Kosovës, e mbajnë hapur dimensionin e sigurisë. Në këtë kontekst, çdo sinjal për një rol më të vogël të Shteteve të Bashkuara në KFOR merr peshë të veçantë.

Ndryshimet në prioritetet globale të sigurisë kanë nxitur diskutime – jo gjithmonë zyrtare – për mundësinë e një reduktimi të angazhimit amerikan në KFOR, duke hapur pyetje edhe për të ardhmen e arkitekturës së sigurisë në Kosovë.

Në një përgjigje që mori Radio Evropa e Lirë prej Pentagonit më 19 shkurt u tha se nuk ka ndonjë njoftim për ndryshim të dislokimit të forcave. Por, po atë ditë, gazeta amerikane, Politico, duke cituar katër diplomatë të NATO-s, raportoi se Shtetet e Bashkuara po kërkojnë nga aleatët të shqyrtojnë reduktimin e angazhimeve të jashtme të aleancës, përfshirë edhe misionin në Kosovë.

Kjo nuk është hera e parë që ngrihen pikëpyetje për të ardhmen e trupave amerikane në Evropë.

Në shkurt të vitit të kaluar, sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, paralajmëroi se kontinenti duhet të përgatitet për një rishikim dhe reduktim eventual të pranisë ushtarake amerikane, duke theksuar se vendimet do të varen nga kërcënimet globale dhe prioritetet strategjike të Uashingtonit.

Po atëkohë, zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance, e lidhi të ardhmen e trupave në Evropë me politikëbërjen në rajon, duke deklaruar se amerikanët nuk do të mbështesin mbajtjen e trupave në Gjermani, nëse qytetarët atje përballen me ndëshkime për postime fyese në rrjetet sociale.

Radio Evropa e Lirë pyeti NATO-n nëse vendet evropiane kanë kapacitet të mbushin boshllëkun që mund të krijohet nga një tërheqje ose reduktim i mundshëm i forcave amerikane në KFOR, të cilat aktualisht numërojnë rreth 590 ushtarë.

Në përgjigjen e marrë nga një zyrtar, nuk jepen detaje konkrete, por theksohet se “Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të luajnë një rol themelor në sigurimin e stabilitetit afatgjatë të Kosovës dhe të rajonit, përmes misionit të KFOR-it, të udhëhequr nga NATO-ja”.

Radio Evropa e Lirë u dërgoi pyetje edhe ministrive të Mbrojtjes në Itali, Hungari dhe Turqi – tri nga vendet me kontributin më të madh në KFOR – për gatishmërinë e tyre për të ofruar forca dhe mjete shtesë – por asnjëri nga institucionet nuk u përgjigj.

Igor Tabak, analist ushtarak në portalin “Mbrojtja dhe Siguria” në Zagreb, thotë se Evropa ka kapacitetin për të mbuluar boshllëkun që mund të lërë një rol më i vogël i SHBA-së në KFOR. Ai shpjegon se vendet evropiane kanë rritur investimet në mbrojtje gjatë viteve të fundit, duke përfshirë jo vetëm blerjen e teknologjisë së re, por edhe aftësimin e personelit.

“Natyrisht, SHBA-ja është aleatja më e madhe në NATO, por nuk është e vetmja. Ka disa resurse që i posedon vetëm ajo, ndërsa vendet e tjera jo. Shumica prej tyre, siç e ka treguar edhe lufta në Ukrainë, lidhen me armët bërthamore dhe mbrojtjen raketore. Por, këto nuk janë kapacitete që i nevojiten KFOR-it, prandaj prania amerikane mund të zëvendësohet”, thotë Tabak për programin Expose të Radios Evropa e Lirë.

Ish-ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Fatmir Mediu, i cili aktualisht udhëheq Qendrën e Sigurisë së Evropës Juglindore, pajtohet se vendet evropiane kanë kapacitet për të marrë një rol më të madh ushtarak në Kosovë, por shton se prania amerikane ka rëndësi që shkon përtej këtij aspekti.

“Nga pikëpamja politike, prezenca e trupave amerikane në Kosovë është shumë e rëndësishme. Ndaj, diplomacia e Kosovës duhet të jetë shumë më e shkathët. Nuk është vetëm çështje sigurie, por edhe e partneritetit afatgjatë, që lidhet edhe me qëllimin e Kosovës për anëtarësim në NATO. Si e tillë, situata do të krijonte një lloj hendikapi”, thotë Mediu për Exposenë.

Kosova, përveç Serbisë, ka në fqinjësi tri vende anëtare të NATO-s: Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi. Ndryshe nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina, ajo nuk është as pjesë e Partneritetit për Paqe – programit të NATO-s për bashkëpunim me vendet partnere – për arsye politike.

Forca e saj e Sigurisë është në proces të shndërrimit në ushtri me kapacitete të plota, dhe zyrtarët e saj thonë se kanë aftësinë për të mbrojtur vendin dhe integritetin e tij territorial.

Megjithatë, FSK-ja, ende sot, nuk mund të operojë në veri të Kosovës, ku popullsia shumicë është serbe, pa lejen e KFOR-it. Ky mision është përgjegjës për sigurinë e kufirit tokësor të Kosovës me Serbinë, ndërsa për pjesën tjetër të vijës kufitare, përgjegjëse është Policia e Kosovës.

Tabak nuk beson se tërheqja eventuale e SHBA-së nga KFOR-i do ta ndryshonte ndjesinë e sigurisë në Kosovë.

“Nuk është rastësi që, muajt e fundit, janë shfaqur iniciativa për bashkëpunim në mbrojtje midis Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës. Të tria vendet kanë arritur marrëveshje konkrete në këtë drejtim. Kjo tregon se po punohet për t’u siguruar që stabiliteti në rajon, të mos varet ekskluzivisht nga vullneti i Uashingtonit, i cili mund të ndryshojë me kalimin e kohës”, thotë Tabak.

Por, Mediu nuk e ndan këtë mendim. Sipas tij, prania amerikane ka një efekt të fortë parandalues në Kosovë, duke ndikuar drejtpërdrejt në kalkulimet e Serbisë dhe aktorëve të tjerë. Nëse kjo prani dobësohet, mund të inkurajohen provokime ose përshkallëzime të reja, paralajmëron ai.

“Unë mendoj se çdo problem ose perceptim negativ mbi marrëdhëniet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara, mund të nxisë qëndrime dhe provokime kundër Kosovës, të cilat mund të përshkallëzohen, duke pasur parasysh edhe interesin e Rusisë për të krijuar një pikë tjetër konflikti dhe për të zhvendosur vëmendjen nga ajo që po ndodh në Ukrainë”, shton Mediu.

Sipas tij, zgjidhja qëndron te diplomacia e zgjuar dhe pragmatike e Kosovës. Ai rekomandon që vendi të orientohet nga interesat amerikane, duke treguar se është partner i besueshëm dhe jo burim problemesh.

“Ne jemi vende periferike në politikën e sigurisë së SHBA-së. Për t’u bërë të rëndësishëm, duhet të sillemi jo si njerëz që krijojmë probleme, por që japim zgjidhje. Analizën duhet ta nisim nga interesi amerikan dhe pastaj të kalojmë tek interesat tona. Të mos themi se kemi probleme me Serbinë, por se problemet në rajon, për shkak të Serbisë, Rusisë, Kinës, bien ndesh me Aktin e Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare, që ka miratuar Trump, dhe më pas të lëvizim tek interesat tona të brendshme”, thotë Mediu.

Buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes në Kosovë ka shënuar rritje të ndjeshme viteve të fundit, duke kaluar nga 67.3 milionë euro në vitin 2021 në mbi 216 milionë euro këtë vit.

Por, të dy ekspertët vërejnë se ky buxhet mbetet i kufizuar, përballë kostove të larta të armëve dhe pajisjeve moderne. Sipas tyre, Kosova mund t’i përforcojë këto kapacitete duke bashkuar buxhetet me vendet anëtare të NATO-s në Ballkan, duke krijuar nivele operative të përbashkëta dhe duke nxitur investime strategjike nga industria ushtarake amerikane.

Sepse, në fund të fundit, ekonomia ndikon dhe vendos për shumë gjëra, thotë Mediu.

Akti i Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare, që përmend ai, synon të forcojë angazhimin ushtarak të SHBA-së në Evropë, garanton 76.000 trupa amerikane në kontinent dhe ndalon tërheqjet e mëdha të pajisjeve. Megjithatë, ai bie ndesh me Strategjinë e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, e cila thekson se “çështjet e vendeve të tjera janë shqetësim i SHBA-së vetëm nëse aktivitetet e tyre kërcënojnë drejtpërdrejt interesat amerikane”.

Javën e kaluar, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në takim me të ngarkuarën me punë të SHBA-së në Prishtinë, Anu Prattipati, theksoi rëndësinë e pranisë ushtarake amerikane dhe të aleatëve në kuadër të NATO-s si faktor kyç për stabilitetin. Ndërsa, ambasadori i Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami, takoi ambasadorin amerikan në NATO, Matthew Whitaker.

Tani, nëse Amerika një ditë bën një hap pas, Evropa mund të përballet me provën më të madhe të rolit të saj si garantuese e sigurisë në kontinent.