Kosova është në ‘play-off’ – Agim Ademi reagim të fortë kundër urrejtjes, mbrojtje për Xhakën dhe lavdi për djemtë e Dardanisë

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi reagon fuqishëm pas kualifikimit historik të Kosovës në Play-Off, duke goditur propagandën, shpifjet dhe narrativat e rreme që tentuan të errësojnë suksesin e kombëtares. Ai mbron djemtë e Dardanisë, Granit Xhakën dhe kontributin e diasporës, duke theksuar se realiteti është vetëm një: Kosova po shkruan histori.

Agim Ademi, ka publikuar një reagim të ashpër dhe emocional pas ndeshjes ndaj Zvicrës, ku Dardanët siguruan për herë të parë ‘Play-Off’-in për Kupën e Botës.

Në këtë adresim publik, ai shpreh krenari për paraqitjen e ekipit dhe zhgënjim për përpjekjet e disa mediave e individëve që, sipas tij, tentuan të devijojnë vëmendjen nga suksesi historik.

I pari i FFK-së denoncon propagandën, shpifjet dhe negativitetin që rrethuan ndeshjen, duke i cilësuar ato si përpjekje të kota për të errësuar arritjet e Kombëtares.

Ai mbron fuqishëm kontributin e futbollistëve, përfshirë Granit Xhakën dhe diasporën shqiptare, dhe rikujton se Kosova, pavarësisht kritikave, po ecën me hapa të sigurt drejt ëndrrës së Botërorit.

Postimi pa ndërhyrje i Agim Ademit

Të nderuar dashamirës të futbollit, tifozë dhe qytetarë të Kosovës,

Mbrëmë ishim dëshmitarë të një paraqitjeje tjetër heroike dhe me shpirt të madh nga futbollistët tanë dardanë. Një lojë e shkëlqyer që solli një tjetër rezultat pozitiv në rrugëtimin tonë drejt ëndrrës së madhe.

Pavarësisht se nuk arritëm fitoren kundër Zvicrës (1:1), ne jemi kualifikuar për herë të parë në ‘Play-Off’ dhe kjo pa dyshim është një arritje historike e Kombëtares së Kosovës në vetëm 9 vjet të pranimit në UEFA e FIFA, për çka edhe u festua nga të gjithë ne.

Është për të ardhur keq që nga televizione e portale të caktuara dhe analistë që më së paku kanë të bëjnë me futbollin, suksesi dhe arritja historike e Kosovës u la në hije. Për fat të keq, vëmendja u zhvendos tek gjërat që s’kanë lidhje me futbollin dhe tek të pavërtetat, duke lënë mënjanë paraqitjen e mirë të Kombëtares sonë.

Mbizotëroi propaganda e urrejtja e atyre që nuk e duan ose iu dhemb suksesi i Kosovës, duke u marrë me pesimizëm dhe negativitet, e duke anashkaluar thelbin: futbollin dhe arritjet tona kulmore!

U krijuan narrativa të pavërteta, se ndeshja nuk do të zhvillohet, se gjendja e fushës është e keqe, por pikërisht ndeshja e mbrëmshme e vërtetoi se fusha u ndërtua në nivelin më të lartë, duke e përballuar me plot sukses shiun e pandërprerë të dy ditëve.

Mos mendoni se kritikat e njerëzve që s’kanë asnjë lidhje me futbollin dhe që nuk ia duan të mirën sportit tonë kanë peshë.

Përkundrazi, raste të tilla vetëm sa e zbulojnë nivelin e ulët dhe keqdashjen e atyre që përpiqen të errësojnë sukseset tona.

Prandaj, ju bëjmë thirrje të gjithëve: Kthehuni njëherë e përgjithmonë tek realiteti! Mos shtini shpifje, defetizëm dhe urrejtje mes popullit e mes shteteve tona mike. Këta djem, gladiatorët e Dardanisë, janë krenaria dhe e ardhmja e Kosovës!

KOSOVA, miq e armiq, është në ‘Play-Off”! Realiteti po ndodh dhe ne jemi në mesin e ekipeve që kërkojnë një biletë për në Kampionatin Botëror deshët apo s’deshët ju.

Për dikë jemi shtet i vogël, por në fakt jemi komb i madh! Së bashku me bashkatdhetarët tanë kudo që veprojnë ne vazhdojmë të bëjmë krenar vendin tonë.

Gjithmonë kemi theksuar se individët si Granit Xhaka e Xherdan Shaqiri janë aset kombëtar dhe ambasadorët më të mirë të popullit tonë, ashtu si Dua Lipa, Rita Ora, Ramë Lahaj e shumë të tjerë.

Graniti ka qenë dhe do të jetë gjithmonë i mirëpritur në atdheun e tij. Ai kudo që të jetë është djali i Ragip Xhakës, një familje atdhetare që jeton e vepron në Prishtinë, prandaj ne i jemi gëzuar gjithmonë sukseseve dhe karrierës së tij të bujshme.

Disa po harrojnë një të vërtetë të madhe: Shumë prej rilindasve tanë kanë jetuar dhe vepruar në vende të ndryshme, por kontribuan për kombin në forma të ndryshme. Nga Jeronim De Rada, Pashko Vasa, Isa Boletini, Sami e Naim Frashëri e shumë të tjerë që dhanë shpirtin dhe mendjen për çështjen kombëtare, e deri te patriotë të tjerë që jetuan jashtë vendit por punuan për të ardhmen e shqiptarëve. Ashtu siç ata kontribuuan nga diaspora, edhe sportistët tanë e bëjnë sot një gjë të tillë me punë, sakrificë dhe dinjitet.

Ne i gjykojmë fishkëllimat që ndodhën, edhe pse ato nuk erdhën nga e gjithë masa dhe as nga tifogrupi ‘Dardanët’, por gjërat negative ndonjëherë janë të pashmangshme në stadiume. Ato kanë qenë të panevojshme dhe të paarsyeshme dhe i gjykojmë, sikurse i gjykojmë edhe deklaratat e atyre që vjellin vrerë edhe kur Kosova shënon rezultate kulmore.

Në fund dua të shpreh një falënderim të veçantë për publikun e mrekullueshëm që përkundër propagandës së madhe për moszhvillim të ndeshjes dhe përkundër rrebeshit të shiut erdhi në stadium dhe nuk u ndal në asnjë moment së përkrahuri djemtë tanë.

Ju jeni zemra e suksesit tonë!

Vazhdojmë me krenari e përgjegjësi drejt ëndrrës sonë,

Forca Kosova! /Telegrafi