Qeveria e Kosovës ka miratuar sot propozim-vendimin për shpalljen e 11 korrikut si ditë përkujtimore të gjenocidit në Srebrenicë.
Kryeministri Kurti në mbledhjen e Qeverisë tha se ky është një veprim fisnik e i duhur në emër të Kosovës, të universales njerëzore e të dëshirës për drejtësi e paqe që të mos harrohet kurrë gjenocidi në Bosnjë, Kosovë e askund në botë.
“Ne sot po i bashkohemi memeorializimit të 11 korrikut, si ditë e përkujtimit të gjenocidit në Srebrenicë, bazuar edhe në rezolutën që kemi miratuar në Kuvendin e Kosovës që dënon gjenocidin në Srebrenicë, në rezolutën përkatëse të PE-së e në vijim të rezolutës që u votua në Asamblenë e Kombeve të Bashkuara, më 23 maj sivjet. Ky është veprim fisnik është i duhur në emër të Kosovës, të universales tonë njerëzore e dëshirës për drejtësi e paqe, që të mos harrohet e përsëritet më gjenocidi, as në Bosnje, as në Kosovë e askund në botë”, tha Kurti.
Qeveria mbajti edhe një minutë heshtje në kujtim të viktimave të gjenocidit në Srebrenicë.
Kombet e Bashkuara (OKB) në maj të këtij viti kanë miratuar rezolutën që përcakton 11 korrikun si Dita e përkujtimit të gjenocidit të Srebrenicës, me mbështetjen dërrmuese të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.