Kryetarja e delegacionit të përhershëm të Kuvendit të Serbisë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës (APKE), Biljana Pantić-Pilja, ka thënë se Komiteti Politik i Këshillit të Evropës e ka caktuar një takim të jashtëzakonshëm më 27 mars.
Aty në rend dite është votimi i opinionit të raportueses Dora Bakoyannis për anëtarësimin e Kosovës në KiE, pasi Kosova ia regjistroi pronën Manastirit të Deçanit. Kalimi i tokës në pronësi të Manastirit ka qenë një prej kushteve që i është kërkuar Kosovë nga QUINT, por atë e ka kërkuar edhe raportuesja Dora Bakoyannis e ngarkuar nga Këshilli i Evropës për rastin aplikimit të Kosovës për anëtarësim.
“Sot u caktua një takim urgjent”- ka thënë për mediat përfaqësuesja e Serbisë atje.
Ajo ka shtuar se Bakoyannis ka pasur tri kërkesa për pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës ndërsa dje u bë me dije se Kosova do ta përmbushë njërën – kthimin e tokës Manastirit të Deçanit.
“Dhe ndoshta, tani paragjykoj, supozoj, se ajo dëshiron t’i raportojë Komitetit se ka një ndryshim në sjelljen e tyre (Kosovës), dhe se një nga kushtet është përmbushur. A do të shkelë ajo tani fjalën e saj dhe do t’u thotë anëtarëve të Komitetit se mjafton edhe kjo dhe se nuk duhen plotësuar kushtet e tjera, nuk dua të paragjykoj. Por m,e caktimin e jashtëzakonshëm të mbledhjes, edhe pse e kemi një mbledhje në Strasburg më 15 prill, ku mund të na njoftojnë për këtë, sinqerisht, nuk më jep besim”, thekson Pantiç- Pylja.
Nëse opinioni i raportueses Bakoyannis kalon në Komitet. Atëherë dosja e Kosovës pritet të hedhet për votim në Asamblenë Parlamentare të Këshillit Evropës.
Në APKE Kosovës i duhen 2/3 e votave që çështja e anëtarësimit të trajtohet nga Komiteti i Ministrave të vendeve anëtare të cilët e thonë fjalën përfundimtare se a do të hyjë Kosova në këtë organizatë si anëtare me të drejta të plota./Euronews