Në përmbledhjen e tij javore, Përfaqësuesi Special për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, tregoi për takimet dhe kërkesat që u ka shtruar Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Të parit i kërkoi “zbatim të deklaratës së 3 qershorit” si dhe për “shqetësimet për situatën në veri”; ndërkaq të dytit, i ka kërkuar që të bëjë pjesën e tij për shtensionim të gjendjes në veri, zgjedhjet e reja pa bojkotim të serbëve si dhe “zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të dialogut”. Ndërkaq “të dyja palëve”, tregon Lajçak, u ka kërkuar që “të zbatohen të gjitha marrëveshjet pa ndonjë kusht dhe pa vonesa”.
“Në Bled takova Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin. Biseduam për përgatitjet për takimin e Nivelit të Lartë të Dialogut në shtator, me përqendrim në normalizim të marrëdhënieve dhe zbatimin e Deklaratës së Bashkimit Evropian të 3 qershorit. Gjithashtu i ngrita shqetësimet e mia për situatën në veri”, ka shkruar Lajçak për takimin me Kurtin.
Kjo Deklaratë, është përtej dialogut të Brukselit, ku 27 shtetet të unionit evropian i kërkonin Kosovës të zbatojë propozimin e saj tre-pikësh për shtensionim të situatës në veri: kryetarët të punojnë nga ndërtesa alternative, largim të njësive speciale në-dhe-rreth komuanve dhe shpalljen e samëparshme të zgjedhjeve me pjesëmarrje të plotë dhe të pakushtëzuar të serbëve. Përndryshe, konkludonte ajo deklaratë, do të ketë masa ndëshkuese. Ato masa, janë punë e kryer për mëse dy muaj tash, ku Kosova për herë të parë në historinë e vendit, është e sanksionuar nga BE, ShBA dhe Gjermania.
“Nga Bledi, fluturova për në Beograd, ku u takova me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Biseduam në hollësi për përpjekjet për të zbutur tensionet dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja në veri të Kosovës, si edhe zbatimin e të gjitha marrëveshjeve”, shkroi Lajçak për takimin me Vuçiqin.
Ndërkaq, Lajçak vazhdon të thotë se të gjitha Marrëveshjet e Dialogut mbeten “valide dhe të detyrueshme” për palët dhe “duhet të zbatohen plotësisht pa ndonjë kusht dhe vonesë”.
Krejt në fund, Miroslav Lajçak thotë se po vazhdojnë të bëhen gati për takimin e Nivelit të Lartë në Bruksel ndërmjet Albin Kurtit d he Aleksandar Vuçiqit.
Çfarë pritet?
14 shtatori do t’i gjejë Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin dhe Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në takim të Nivelil të Lartë në Bruksel, pas më shumë se katër muajve që nga takimi i fundit, takim ky i cili ishte “hapi i parë simbolik” në drejtim të konkludimit të Asociacionit të Komunave të banuara me shumicë serbe, ku përveç draft-Statutit nga Ekipi Menaxhues, pala kosovare kishte ofruar edhe një “draft-Vizion” të saj, të paramenduar sipas modelit kroat për pakicën serbe në zonat e Danubit.
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, ndonëse tha se “është ende herët për të thënë” se cila do të jetë agjenda, foli rreth asaj se cilat janë premisat e rinisjes së negociatave në Bruksel më 14 shkurt. E në veçanti, la të kuptojë ai, se Asociacioni, si parakushtëzim nga pala serbe për nisje të zbatimit të plotë të Marrëveshje së Ohrit, nuk bëhet fjalë.
Sekuencimi “duhet të jetë i drejtë, i balancuar dhe gjithpërfshirës”, tha Kryeziu duke folur në një bisedë me gazetarin Fidan Jupolli, dhe se këtë e bazon te “vetë Marrëvehsja, e cila edhe tekstualisht flet për pavarësinë e neneve prej njëra tjeterës dhe të cilat duhet të zbatohen pavarësisht njëra-tjetrës”.
“Ne prej fillimit, pasi treguam gatishmërinë për nënshkrimin e kësaj marrëveshje, gatishmri që ka muguar nga Serbia, kemi thënë që MB dhe Aneksi të zbatohet shpejt, plotësisht dhe pa kushtëzime. Ne besojmë që marrëveshja bazike duhet të zbatohet e plotë dhe pa kushtëzime, ndërkaq sekuencimi duhet të jetë i drejtë i balancuar dhe gjithpërfshirës”, u shpreh zëdhënësi.
Për dialogun kohëve të fundit është aktivizuar në plotni edhe ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, i cili për Asociacionin është mbase më vokali prej zyrtarëve amerikanë. Por, kësaj here, ai e shtroi ca edhe më ndryshe, duke e kundërpeshuar me atë se çfarë i nevojitet edhe Kosovës: integrimi i saj në strukturat ndërkombëtare dhe evropiane, e që është “punë që bëhet”, tha ai.
“Të dyja palët duan diçka që është punë që bëhet”.
Se Asociacioni do të bëhet, Hill e merr për të mirëqenë, dhe nuk e vendos në dyshim, por se kësaj here, e shtroi pak më ndryshe tërë çështjen, teksa rikujtoi se sa ka mbështetje nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës kjo çështje.
“Për nga pikëpamja e Kosovës, ata e kthejnë kokën pas në dekadat e fundit dhe shohin se ju nevojiten hyrje/anëtarësime (foothold) më të madhe ndërkombëtare dhe kërkojnë që negociatat të përfundojnë ku ata janë në gjendje të anëtarësohen në struktura evropiane”, ka thënë Christopher Hill në një intervisë në “Nova”.
Në dritë të kësaj, Hill përfundon se “të dyja palët duan diçka që është punë që bëhet”.
Për komunitetin serb në Kosovë, Hill sërish u thirr në “nevojën” për themelimin të Asociacionit, ngase, siç thotë ai, “ata duhet të dinë se si do të duken jetët e tyre”.
“Prandaj edhe ShBA’ja i jep kaq shumë mbështetje Asociacionit”.
Christopher Hill i kërkon si Prishtinës, ashtu edhe e Beogradit, që “të mësojnë” nga përvojat e Zëvendës Ndihmës Sekretarit amerikan të Shtetit, Gabriel Escobar dhe Përfaqësuesit Special për Dialog, Miroslav Lajçak.
Sa i përket gjendjes së dialogut dhe marrëveshjes për normalizim, dhe mbarë proceseve që vinë e shkojnë me ta, Hill ka edhe një vlerësim interesant.
“Nuk jemi në fund të procesit. Jemi diku kah mesi”, u shpreh ai.
“Mbase mund të kemi ngecur pak në lloç, por po lëvizim para. Nuk do ta përjashtoja optizmin si mënyrë e të shikuarit gjërat. Nuk shoh arsye për pesimizëm”, ka thënë Christopher Hill.