Konvertimi i patentë-shoferëve në RKS, Kurti: Serbët bënë hap të rëndësishëm drejt integrimit

Konvertimin prej patentshoferëve ilegalë të Serbisë në ato të Republikës së Kosovës, Kryeministri e Kosovës e ka quajtur “hap të rëndësishëm drejt integrimit”.

Veç kësaj ai njoftoi se afati është shtyrë për 23 gusht për konvertimin përfundimtar të atyre dokumentave.

Postimi i Kurtit:

6509 aplikime për konvertimin e patentë-shoferëve nga ilegale në ato zyrtare të Republikës së Kosovës. Vetëm në katër komunat në veri të shtetit tonë, u konvertuan 5732 patentë-shoferë, prej të cilave 2018 në Leposaviq, 1576 në Mitrovicën Veriore, 1177 në Zveçan dhe 961 në Zubin Potok.

Afati për regjistrimin e tyre, nisi më 9 maj, dhe ishte i paraparë deri më 9 gusht. Për shkak të kërkesave të shumta dhe interesimit të lartë për konvertimin e patentë-shoferëve, e kemi shtyrë të njëjtin për 2 javë, deri ditën e djeshme më 23 gusht. Kjo periudhë më shumë se 3 mujore e konvertimit, kaloi pa asnjë incident apo ankesë.

Qytetarët tanë nga komuniteti serb kanë bërë një hap të rëndësishëm drejt integrimit, duke iu përgjigjur në masë thirrjes për aplikim për konvertimin e këtij dokumenti.

I falënderoj të gjithë qytetarët tanë të cilët e shfrytëzuan pozitivisht këtë mundësi, si dhe zyrtarët e institucioneve tona në zyrat e qendrat e regjistrimit, për punën e tyre dhe asistimin e aplikuesve në këtë proces.