Konsultimet bilaterale me Kosovën në fushën e mbrojtjes, SHBA vlerëson arritjet e bëra nga FSK në fazën II të tranzicionit

Një delegacion amerikan nga Departamenti Amerikan i Mbrojtjes i prirë nga Alton Buland, Drejtor kryesor për Politikat Evropiane të NATO-së në Zyrën e Sekretarit të Mbrojtjes, kanë qëndruar për një vizitë në Kosovë, ku janë pritur nga ministri Ejup Maqedonci.

Në një komunikatë të lëshuar nga Departamenti i Mbrojtjes së SHBA-së, thuhet se qëllimi i kësaj vizite ishte diskutimi i prioriteteve dhe bashkëpunimit dypalësh në aspektin e sigurisë dhe përkrahja për zbatimin e planit 10 vjeçar të FSK-së për transformimin në një forcë mbrojtëse territoriale profesionale, multi-etnike dhe ndërvepruese nga NATO.

Nga Departamenti i Mbrojtjes amerikane thonë se zyrtarët amerikanë ndanë informacione rreth projekteve që synojnë të ndihmojnë në përmirësimin e aftësive dhe ndërveprimit të FSK-së, angazhimet e ardhshme ushtarake-ushtarake, Programin e Partneritetit Shtetëror me Gardën Kombëtare të Iowa-s dhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare.

Buland nga zyra e Sekretarit të Mbrojtjes ka vlerësuar Kosovën për arritjet që FSK-ja ka bërë në fazën e dytë të planit gjithëpërfshirës të tranzicionit dhe ka falënderuar ministrin Maqedonci për kontributin e FSK-së në Ukrainë duke përfshirë ofrimin e trajnimeve dhe ekspertizës në deminim.

“Udhëheqësit riafirmuan rëndësinë e respektimit të standardeve më të larta të vlerave demokratike, shtetit të së drejtës dhe të drejtave të njeriut në të gjitha aspektet për marrëdhëniet dypalëshe të mbrojtjes”, thuhet në njoftim.

Në përfundim të vizitës Buland dhe McKinney vizituan Shtabin e Forcave të NATO-s në Kosovë (KFOR) dhe kontingjentin e saj amerikan për t’i falënderuar për rolin që luajnë duke ndihmuar për të kontribuar në stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.