Ambasadorja e Gjermanisë në Beograd, Anke Kondrad, ka thënë se është shumë e rëndësishme që të gjitha marrëveshjet në mes të Kosovës dhe Serbisë të zbatohen dhe shton se pret që gjatë takimeve të sotme në Bruksel të “merren vendime të mira”, në veçanti për punën e dinarit.
“Kjo vlen për Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013 dhe për marrëveshjet që janë lidhur më pas, dhe sigurisht për vendimet e marra në Bruksel gati një vit më parë, si dhe për ato në Ohër”, ka thënë diplomatja gjermane për Kosovo Online.
Sipas saj, kjo është e rëndësishme për të gjithë në Kosovë dhe Serbi, dhe tani veçanërisht për ata që jetojnë në veri të Kosovës, sepse, thekson ajo, normalizimi i marrëdhënieve jo vetëm që do t’ua lehtësojë jetën shumë njerëzve në rajon por gjithashtu do të kontribuojë në çdo zhvillim të ardhshëm.
Konrad ka thënë se tensionet e vazhdueshme s’janë të mira për asnjërën palë dhe ka shtuar se duhet të ketë pasoja për moszbatimin e marrëveshjeve.
Ambasadorja shton se shpreson se do të merren vendime të mira, jo vetëm sot në takimin në Bruksel, që ka të bëjë konkretisht me dinarin, por edhe në aspekte të tjera të rëndësishme si krijimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, që sipas saj, do të rikthejë jetën normale në veri të Kosovës dhe të kontribuojë në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Sa i përket çështjes së dinarit, sot kemi bisedime në Bruksel dhe shpresoj që ato të çojnë në një zgjidhje që do t’u mundësojë njerëzve qasje në para, në mënyrë që ata të jetojnë jetën e tyre dhe të mos dëshpërohen. Shpresojmë që këto bisedime të jenë të frytshme, që së paku të tregojnë rrugën se si zgjidhet kjo çështje, sepse për ne është e një rëndësie thelbësore për normalizimin e marrëdhënieve në veri të Kosovës”, ka thënë ambasadorja gjerman Anke Konrad./GazetaExpress/