Konkursi për policë në veri, PK-ja del me kërkesë

Policia e Kosovës më 4 janar kishte shpallur konkurs për pranimin e zyrtarëve policorë nga radhët e komunitetit serb, boshnjak, turq, goran, rom, ashkali, egjiptas, kroat, malazez dhe maqedonas.

Përmes një njoftimi, Polica ka bërë të ditur se vendi i punës do të jetë Drejtoria Rajonale e Policisë në Mitrovicën e Veriut.

Konkursi në fjalë ishte paraparë që të mbetej i hapur deri më 26 janar, mirëpo në po të njëjtën ditë, nga ana e Policinë ishte njoftuar se afati për aplikim do të zgjatej edhe për 10 ditë të tjera.

Për këtë konkurs që do të jetë i hapur deri më 10 shkurt 2023, Policia sot ka lëshuar një njoftim ky është thënë se janë duke vazhduar me kampanja sensibilizuese për konkursin e hapur për komunitetet pakicë.

Policia e Kosovës, përmes video mesazheve, fushatave sensibilizuese dhe takimeve zyrtare që po mbahen në të gjitha rajonet, vazhdon t’i inkurajojë dhe ftojë qytetarët e të gjitha komuniteteve pakicë që të aplikojnë dhe të bëhen pjesë e Policisë së Kosovës” – thuhet në njoftim.

Tutje është thënë se këtë kampanjë e kanë përkrahur edhe personalitete të larta nga institucione të ndryshme ndërkombëtare.

Në nëntor të vitit të kaluar, qindra zyrtarë policor serbë patën dhënë dorëheqje nga pozitat e tyre, në shenjë proteste për masat e qeverisë për targat ilegale serbe në veri të vendit.

Situata e krijuar në veri erdhi pas vendimit për suspendimin e drejtorit të Policisë së Kosovës në veri, Nenad Gjuriq, për refuzim dhe rezistencë për lëshimin e fletëqortimeve për pronarët e veturave me targa ilegale.