Kryetari i kuvendit, Glauk Konjufca, ka marrë pjesë në pritjen e organizuar nga Zyra e BE-së në Kosovë me rastin e 9 Majit, Ditës së Evropës.
Konjufca tha se kjo datë shërben si dëshmi për vendosmërinë e popullit dhe institucioneve të Kosovës për rrugën drejt familjes evropiane dhe mishërimin me vlerat demokratike që promovon ajo.
“Ndonëse kanë mbetur edhe pak ditë deri në mbledhjen e Këshillit Ministror, ne besojmë që Kosova meriton dhe duhet të anëtarësohet pa kushtëzime shtesë, të jetë anëtarja më e re me të drejta të plota në Këshillin e Evropës’’, tha Konjufca, transmeton Klankosova.tv.
Tutje, Konjufca tha se për Kosovën por edhe për të gjithë rajonin, anëtarësimi në BE është i rëndësisë së veçantë, e ku sipas tij, përfitimet janë të dyanshme.
‘’Më shumë paqe, siguri dhe prosperitet zhvillimor për Kosovën dhe rajonin do të thotë një Evropë më e fortë dhe më e sigurt’’, tha tutje Konjufca.
Më tej, kreu i kuvendit tha se tashmë janë bërë më shumë se një vit prej kur Kosova ka aplikuar për anëtarësimin në BE, e që sipas tij, Kosovës nga institucionet e BE-së e aleatët e tjerë, i duhet përkrahje për ndërmarrjen e hapave konkretë.
‘’Qytetarët e Kosovës, pavarësisht pritjes së gjatë, vazhdojnë të besojnë në politikat integruese evropiane dhe të kontribuojnë çdo ditë në zhvillimin e shoqërisë dhe institucioneve tona demokratike. Këtë e dëshmon edhe çmimi që do të ndahet në këtë ceremoni’’, tha ai.