Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka njoftuar se ka pritur në takim sot kryetarin e Komisionit për Punë të Jashtme në Bundestag, Michael Roth.
Kojnufca ka felenderuar Roth për angazhimin dhe mbështetjen që ai dhe shteti gjerman i kanë dhënë Republikës së Kosovës përgjatë viteve në rrugën e saj evropiane, sidomos sa i përket procesit të liberalizimit të vizave.
Njëherit, i pari i Kuvendit i ka kërkuar Roth që angazhimi gjerman për dialogun të vijojë pasi e konsiderojnë të rëndësishëm, për një proces parimor, efikas dhe të balancuar.
Postimi i plotë i tij:
Ishte kënaqësi e veçantë që sot të mirëprisja në takim Kryetarin e Komisionit për Punë të Jashtme në Bundestag, z.Michael Roth, i cili shoqërohej nga zv.ambasadori gjerman në Kosovë, z. Mathias Conrad, nga Dr. Ursula Bell dhe Dr. Sebastian Leuschner.
Në këtë takim tejet miqësor pata mundësinë që të falenderoja z.Roth për angazhimin dhe mbështetjen që ai dhe shteti gjerman i kanë dhënë Republikës së Kosovës përgjatë viteve në rrugën e saj evropiane, sidomos sa i përket procesit të liberalizimit të vizave.
Z. Roth është mjaft i informuar në lidhje me situatën ku gjendet rajoni ynë, pa hezituar të japë kontributin e tij shumë të rëndësishëm, gjë për të cilën i shpreha mirënjohjen time personale dhe atë të vendit tonë.
Theksuam marrëdhëniet e shkëlqyera mes vendeve tona dhe nevojën për t’i thelluar ato në të ardhmen, si vende mike dhe aleate që na bashkojnë vlerat dhe qëllimet e përbashkëta. Kontributi i shtetit gjerman është i pazëvendësueshëm, si në të shkuarën edhe sot, gjë për të cilën i shpreha mirënjohje z.Roth dhe ne synojmë që raportet e shkëlqyera t’i mirëmbajmë dhe t’i zhvillojmë me bashkëpununim në të gjitha sferat.
Gjermania ka qenë shumë e angazhuar edhe sa i përket dialogut për normalizim mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë, të lehtësuar nga Bashkimi Evropian. Duke marrë parasysh rolin e Gjermanisë brenda BE-së, i kërkova z.Roth që angazhimi gjerman të vijojë dhe se ne e konsiderojmë jashtëzakonisht të rëndësishëm, për një proces parimor, efikas dhe të balancuar.
Takime si këto asnjëherë nuk duhet të mungojnë.