Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, në 24-vjetorin e masakrës në Burgun e Dubravës, e ka quajtur atë aktin më të shëmtuar që bëri Serbia në Kosovë.
Sipas tij, burgu është institucioni më i larët i shtetit dhe se 1.000 të burgosur me qëllim u grumbulluan aty për t’u vrarë e masakruar.
Konjufca shtoi se është më se e ditur që shteti serb e ka bërë këtë krim makabër, por që thotë se fatkeqësisht ende nuk ka drejtësi.
Ka deklaruar se kur është puna për gjykimin e UÇK-së ka drejtësi, kurse për masakrën e Burgut të Dubravës nuk është shpallur asnjë i dënuar.
“Jemi këtu për ta kujtuar aktin më të shëmtuar që e bëri Serbia. Ndonëse kanë kaluar 24 vjet dhe përgjegjësia është e shtetit serb, ende fatkeqësisht nuk ka drejtësi. I shoh edhe familjarët që për 24 vjet jetojnë me peshën e padrejtësisë.
Kur është puna për UÇK po ka drejtësi e për forcat paramilitare serbe, me përgjegjësi të qartë që dihet për gjithë fushatën e gjenocidit që e ka bërë në Kosovë, nuk po ka drejtësi”, tha Konjufca. /Ekonomia Online